Sulmi në e-Albania/ Rama: Dyshojmë te dy shtete, në mbrojtje e përfshirë edhe NATO
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me krerët e rinj të PS-së në 61 bashkitë e vendit, tha se NATO është përfshirë në procesin e mbrojtjes ndaj sulmit kibernetik që ju bënë faqeve qeveritare dhe e-Albania. Pas sqarimit në Twitter, kreu i qeverisë ritheksoi edhe njëherë se nuk është i vërtetë lajmi se sulmi nga ardhur nga Irani dhe se janë kërkuar 30 milionë euro.
“Është sulm i organizuar nga një shtet, jo çështje hakerash sado të jenë. Është një shtet mbrapa këtij sulmi. Nuk jemi ende të identifikojmë shtetin, 2 janë dyshimet, e them këtë për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv.
Sistemet nuk kanë ceduar në aspektin e shkatërrimit të tyre, nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit, aq më tepër që nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit. AKSHI nuk mban të dhëna. Dokumentet janë aty.
Ka lajme të rreme pa lidhje. Është e paimagjinueshme që të shpifet pa hesap, pa asnjë lloj logjike duke i thënë njerëzve që është vënë gjobë 30 milionë euro ndaj qeverisë a thua se jemi përballë një bande digjitale që vënë gjoba. Nuk jemi në këto kushte por në kushtet e një sulmi kibernetik të super sofistikuar që ka poërfshirë në procesin e mbrojtjes dhe të kundërsulmit NATO-n”.