Sulmi në Kosovë, Berisha: Reagimi i Ramës, i komanduar nga Beogradi
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se sulmi terrorist i një dite më parë në Kosovë, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë, ishte një skenar i njoftuar publikisht nga Rusia.
Ai akuzoi edhe kryeministrin Rama për qëndrimin e mbajtur një ditë më parë, për të cilin tha se as nuk e ngushëlloi familjen e policit të vrarë.
“Sulmi i djeshëm terrorist në manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon.
Për PD, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës.
Fillimin në ora 3 mëngjesit në Zveçan të kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi i serbëve në veri të Kosovës. Kjo kryengritje, siç do ta quante sulmin terrorist vetë Aleksandër Vuçiç, shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri, krahas atij të Ukrainës, në Ballkan për interesa të mirëfillta të rusomadhisë dhe serbomadhisë”, tha Berisha.
Sipas tij “Ky skenar u përgatit me kujdes në rrafshin politik dhe ushtarak nga Beogradi, në funksion të radikalizmit të gjendjes dhe përgatitjes së kryengritjes së armatosur, është tërhequr pa asnjë shkak ligjor, nga serbomadhi Vuçiç, i tërë kontingjenti i serbëve nga ët gjitha institucionet e Kosovës. Krahas këtij akti destabilizues, Beogradi ndërmori prej disa muajsh futjen në Kosovë të forcave të veta speciale, mercenarëve rusë të ëagner, kriminelëve dhe vrasësve ordinerë, me të cilët Aleksandër Vuçiç ndan pushtetin. Përveç këtyre, Beogradi futi në Kosovë armatime të shumta, duke i depozituar ato edhe në Kisha, në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit që do shpërthente, nuanca fetare. Të gjitha këto akte të rënda ndaj sovranitetit të Kosovës janë denoncuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet e Kosovës, mediat dhe autoritetet ndërkombëtare si kryetarja e Komisionit të Jashtëm në parlamentin britanik, e nderuara Alicia Kearns, etj”.