Sulmohet për herë të dytë makina e publicistit Fatos Lubonja

Foto e rastit te parë kur makina e analistit u godit me gurë nga një person, i cili u arrestua nga Policia dhe u dënua nga Gjykata

Makina e analistit Fatos Lubonja është dhunuar nga persona ende të identifikuar gjatë ditëve të ndërrimit të viteve. Burime pranë Policisë së Shtetit konfirmuan se makina e Lubonjës ishte parkuar në zonën e qendrës pranë banesës së tij. Mësohet se ky automjet është goditur me mjete të forta, duke e dëmtuar rëndë, gjatë ditëve të ndërrimit të viteve, ndërkohë që Policia konfirmon se në datë 2 janar të vitit 2020, analisti ka bërë një kallëzim penal për këtë ngjarje të rëndë.

Fatos Lubonja ka konfirmuar për “News 24” dhunimin e makinës së tij. Ai thekson se pret që autoritetet të zbardhin këtë ngjarje.“ Po është e vërtet që makina ime është dhunuar. Për këtë ngjarje kam bërë kallëzim penal në prokurori dhe jam në pritje që autoritetet policisë të zbardhin të vërtetën e këtij akti dhune”, thekson Lubonja.

Më datë 1 korrik të vitit 2019 makina e analistit Lubonja u dhunua me gurë.  Personi, cili u arrestua nga Policia e Shtetit dhe u dënua nga gjykata me burg, ka shprehur urrejtje ndaj Lubonjës për qëndrimet e tij publike.

PD: Sinjal për t’i mbyllur gojën, prokuroria të hetojë

Në lidhje me dhunimin e makinës së analistit Fatos Lubonja vjen edhe reagimi i parë nga politika. Ish- deputeti demokrat Genc Pollo shkruan se këto sulme janë një sinjal “për t’i mbyllur gojën”.  “Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Por vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë. Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën”. Ne vijim te postimit te tij, Pollo thekson se “agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione. Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës”, shkruan Pollo.

SHKARKO APP