Në kërkim “kokat” e grupeve kriminale, Arben Kraja dhe Gledis Nano: Kemi të dhëna të rëndësishme për shumë vrasje
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano kanë dalë në një komunikim zyrtar në lidhje me superoperacionin e nisur prej mëngjesit të sotëm për arrestimin e “kokave” të grupeve kriminale, emrat e të cilëve janë zbuluar pas dëshmisë që ka dhënë Nuredin Dumani.
Arben Kraja ka dhënë detaje nga megaoperacioni i shtrirë në disa qytete të vendit.
Kraja tha se është zbuluar se si funksiononin grupet dhe detaje nga krimet e tyre. Ata akuzohen për krime dhe tortura të rënda, si dhe porositje vrasjesh të kundërshtarëve.
Konkretisht, Kraja tha se bëhet fjalë për 8 grupe kriminale. Katër në Elbasan, tre në Tiranë dhe një në Durrës.
“Në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse, etj. Si rrjedhojë e këtyre të dhënave janë tërhequr dhe studjuar dosjet penale që kanë të bëjnë me këto ngjarje penale. U tërhoqën dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr.75/2022. Pas studimit të tyre, mekanizimit të kryerjes së veprave penale, motivit apo konfliktit, veprimeve hetimore në secilën prej tyre, të analizuara këto në raport me të dhënat e reja të disponuara, u evidentuan të dhëna në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të këtyre veprave penale.
Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore.
Në kuadër të këtij procedimi penal pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 42 datë 17.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për 32 shtetas.
Po kështu me vendimin 18.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve”, tha Kraja.
KOHA JONË SONDAZH

