Surprizat e mëdha: Përmeti blu, Hasi rozë, Veliaj fiton në lagjen e Bashës

Votimet e 21 qershorit u quajtën historike, për shkak se qytetarët shqiptarë votuan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Rezultatet rikonfirmojnë edhe një herë për pushtetin e së majtës, ndërsa në Tiranë udhëheq Veliaj.

Rezultatet e deritanishme nxjerrin fitues me një diferencë të thellë koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ku 47.49 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote iu janë drejtuar dje kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në 61 bashki.

Qytetarët shqiptarë votuan për 157 kandidatë për kryetar në 61 bashki. 63 parti garuan për të pasur përfaqësuesit e tyre në 1595 vende në këshillat e bashkive. 52 parti janë pjesë e dy koalicioneve të mëdha, Aleancës për Shqipërinë Evropian (37) dhe Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet (15), ndërsa 11 parti garuan të vetme.

Policia e Shtetit mori masa për garantimin e mbarëvajtjes së procesit, ku nuk u shënuan incidente zgjedhore. Në zgjedhjet e këtij viti mbi 143 mijë votuan për herë të parë. I gjithë procesi u monitorua nga rreth 3 mijë vëzhgues, 274 prej të cilëve përfaqësues të ODIHR-it.

13:37 – ASHE fiton në Gramsh

Mbyllet procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Gramshit, ku fitues shpallet kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Luljeta Dollani me 2764 vota më shumë, se kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Kodhel Çala. Dollani mori 8746 vota, ndërsa Kodhel Çela arriti të merrte 5982 vota.

13:14 – Mbyllet numërimi në Vorë, fiton PD-ja

Kandidati i koalicionit “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, Fiqiri Ismaili ka fituar me 239 vota diferencë përballë kandidati të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, Luan Sallaku. Në përfundim të procesit të numërimit të votave, Fiqiri Ismaili, duke folur për gazetarët deklaroi se falënderon kandidatin kundërshtar për garën, ndërsa i cilësoi farsë akuzat për votues fiktivë. “Do të përmirësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve. E falënderoj kandidatin për garën dhe i uroj gjithë të mirat. Padia për listë fiktive është farsë për të diskretituar figurën time. Vora nuk ka pasur listë fiktive. 6 muaj e fundit janë shpërngulur vetëm 60 familje”, deklaroi Ismaili.

Ndërkohë që kandidati i majtë për Vorën, Luan Sallaku, u shpreh se nuk e do e pranojnë rezultatin. Ismaili u akuzua vetëm një javë para zgjedhjeve për manipulimin e zgjedhjeve dhe blerje votash. Prokruroia po heton lidhur me denoncimin e bërë nga një qytetar ndaj kandidatit të PD-së, i cili nëse shpallet fajtor rrezikon nga gjashtë muaj deri në 1 vit burgim.

13:10 – Mat, fiton kandidati i djathtë Nezir Rizvani

Nezir Rizvani, kandidati i djathtë për Bashkinë e Matit shpallet fitues me 170 vota më shumë se Adelina Farici, kandidate e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

13:08 – Selenicë, fiton kandidati i djathtë Përparim Shametaj

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Selenicës, Përparim Shametaj me 6.096 vota ose me 53,8 % të votave ka dalë fitues. Shametaj garonte përballë kandidates së pavarur Alma Golemaj, e cila ka marrë vetëm 151 vota dhe Kasëm Cenajt i mbështetur nga ASHE, ky i fundit ka marrë 5078 vota ose 44.86 vota.

13:00 – Mbyllet numërimi në Belsh, fiton ASHE

Përfundon numërimi edhe në Belsh, ku fitues ka dalë Arif Tafani i ASHE-së, me 45.51%, ndërsa Asqeri Kuqja i APPD-së ka marrë 38.45% të votave.

12:50 – PS fiton në Poliçan

Kandidati i majtë për Bashkinë e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka fituar me një rezultat bindës duke marrë 72,5% të votave. Ndërsa kundërshtari Florian Qama ka marrë vetëm 27.5%

 

12:35 – ASHE fiton garën për Bashkinë e Urës Vajgurore

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Urës Vajgurore, fituese është shpallur kandidatja e ASHE-së, Juliana Memaj, e cila ka marrë 8908 vota, përkundrejt 6419 votave që ka marrë kandidati i APPD-së Bujar Hoxhaj. Nga 50 kuti, njëra doli me probleme dhe nuk u mor në shqyrtim për t’u numëruar.

 

12:30 – Veliaj fiton në lagjen e Bashës

Kandidati i majtë për Tiranën, Erion Veliaj, arrin të mund kundërshtarin e tij të djathtë pikërisht në lagjen e liderit demokrat, Lulzim Basha.

Edi Rama humbi në këtë zonë me 650 vota në zgjedhjet e fundit, kurse tani Veliaj duket se do të ketë një rezultat të ndryshëm.

Mësohet se, në minutat e fundit kandidati i majtë ka kaluar 79 vota para në numërimin e kutive të njësisë tetë, një nga “kështjellat” elektorale historike të së djathtës në Tiranë.

 

11:35 – Mbyllet numërimi në Bashkinë e Klosit, fiton e djathta

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Klosit, ku është shpallur fitues kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Basir Çupa. Çupa ka marë 935 vota ndërsa kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Valbona Kola ka marë 608 vota.

11:25 – Mbyllet Roskoveci, fiton kandidatja e ASHE-së

Majlinda Bufi, kandidatja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” është shpallur fituese në Bashkinë e Roskovecit. Bufi fitoi përballë kandidatit të “Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet”, Gëzim Çaushi.

 

11:19 – Aleanca e djathtë merr Përmetin dhe Tropojën

 

PËRMET – Në Bashkinë e Përmetit fitues shpallet kandidati i aleancës së djathtë Niko Shupuli, me 4771 vota (58.58%), kundrejt 3138 votave (38.53 %) të kandidatit të majtë, Gilberto Jaçe.

TROPOJË –Aleanca e djathtë arrin të fitojë Bashkinë e Tropojës me kandidatin e saj, Besnik Dushaj. Ky i fundit arriti të siguronte 5810 vota (51.94 %), ndërsa kandidati i majtë Rexhe Byberi, mori 4992 vota (44.63 %).

Aleanca e majtë merr 12 bashki

SKRAPAR –Procesi i numërimi u mbyll mëngjesin e kësaj të hëne në Skrapar, ku fitues ka rezultuar kandidati i ASHE-së, Nesim Spahiu, i cili mori 84.43% të votave, ndërsa rivali i tij demokrat, Hajredin Bakjasi, mori 15.57% të votave.

DELVINË– Përfundoi mëngjesin e sotëm procesi i numërimit në Bashkinë e Delvinës. Fitues i këtyre zgjedhjeve doli kandidati i majtë, Rigels Balili, me një diferencë të lartë votash. Balili merr postin e kryebashkiakut të Delvinës, duke rrëzuar nga ai post kandidatin e djathtë që pretendonte mandatin e tretë. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Rigels Balili, u shpall fitues me 72.8% të votave, ndërsa kandidati i djathtë, Dhurim Alinani mori 27.2% të votave. Konvertuar në vota respektivisht Rigels Balili caktohen në postin e kryebashkiakut me 4735 vota, kundrejt kundërshtarit të tij që mori 1769 vota.

LIBOHOVË –Me përfundimin e votimeve në Bashkinë e Libohovës fituese u shpall kandidatja e ASHE-së, Luiza Mandi, e cila mori 1692 vota (53.65%), duke mundur kandidatin e djathtë Altin Çomon, që mori 1462 vota (46.35%).

PEQIN – Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota ose 67.94 % të tyre, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota ose 32.06 %.

FUSHË ARRËZ/PUKË– Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm 66 vota. Kandidati i ASHE-së Gjonaj arriti të fitonte me 4122 vota (50.9 %), ndërsa kundërshtari i tij i djathtë Rrok Dodaj mori 3976 vota (49.1 %).

HAS –Kandidati i majtë për Bashkinë e Hasit fiton mandatin e dytë. Përfundoi në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm procesi i numërimit në Bashkinë e Hasit.  Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD-së, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.

KOLONJË– Përfundon numërimi edhe në Bashkinë e Kolonjës duke nxjerrë fitues kandidatin e ASHE-së, Arben Malo, me 4997 vota(53.45 %), kundrejt kandidatit të djathtë, Viktor Duro, që u votua nga 4076 qytetarë (44.69 %). Në garë për Bashkinë e Kolonjës ishte dhe kandidati i PSD-së, Paqësor Cane, i cili mori vetëm 154 vota (1.86 %).

PUSTEC –Gjithashtu edhe Bashkia e Pustecit u fitua nga kandidati i majtë Edmond Themelko me 2075 vota (80.96 %), ndaj kundërshtarit të tij Miallaq Apostollovski, i cili mori 488 vota (19.04 %).

MIRDITË –Në Bashkinë e Mirditës, Ndrec Dedaj, i ASHE-së ka fituar me 55.37% të votave, ndaj 44.63% të votave të Gjergj Prengës së APPD-së.

HIMARË– Bashkia e Himarës u fitua sërish nga kandidati i majtë, Jorgo Goro. Kandidati i ASHE-së Goro merr mandatin e dytë të tij në krye të Himarës me 4747 vota. Ai ka lënë pas konkurrentin e tij kandidatin e PBDNJ-së, Fredi Beleri, me një diferencë prej 2412 votash.  Beleri mori 2335 vota, ndërkohë që kandidatja demokrate Lefteri Prifti siguroi 596 vota dhe kandidati i pavarur Vladimir Kumi, 861 vota.

KONISPOL– Kandidati i majtë, Shuaip Beqiri, fiton zgjedhjet për Bashkinë e Konispolit me 2245 vota (43.93 %). Ndërkohë që rivali i tij i djathtë, Ismail Murtaj, mori 1831 vota (35.83 %).

SHKARKO APP