Surroi: Rama ndryshoi perceptimin e të huajve për Shqipërinë
![](https://kohajone.com/wp-content/uploads/2015/12/f09076abaa83fe5636eed1a37801d398_M.jpg)
E ka bërë edhe kur ishte kryebashkiak, e bën edhe tani.
Kryeministri Edi Rama ia del të jetë i pranishëm në disa nga mediat më të mëdha në botë. Për mirë.
Këto dalje kanë shkaktuar shumë debat në rrjetet sociale, debate që nisin prej pikëpyetjes nëse këto janë shkrime të paguara e deri tek efektet e tyre në zhvillimin e Shqipërisë.
Publicisti i njohur kosovar, Veton Surroi, në një intervistë për gazetën Shqip, thotë se Rama ka ndryshur perceptimin e të huajve për Shqipërinë.
“Ka ndryshuar perceptimi i Shqipërisë jashtë pa dyshim. Si profesor i arteve pamore, zoti Rama ka ndikuar për mirë në këtë drejtim. I ka hyrë konceptualisht shndërrimit të pamjes së këtij vendi dhe efektet pamore që ai i ka dhënë vendit nuk janë të parëndësishme. Shqipëria, në përmesat e saj europiane, si përfaqësim politik, si vend i NATO-s, mund të ilustrohet pak a shumë me një detaj, që duket i parëndësishëm, por është simbolik. Shqipëria mund të matet me rrugën prej Plepave deri në Durrës. Ishte një rrugë në një hapësirë gjysmë të egër të provincës ballkanike, tani është një promenadë me aspiratë mesdhetare.
Identiteti mesdhetar i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm.
Në këtë drejtim, imazhi i Shqipërisë është gjithsesi më mirë se ç’ishte ndonjëherë.
Por pastaj është problemi që unë e ngre edhe në libër, sepse janë disa çështje që nuk zgjidhen me aplikimin e teorisë pamore. Janë disa çështje që kërkojnë ndryshim thelbësor, strukturor. Një prej tyre për mua ka qenë shokante, që të lexoj se ambadori amerikan bën verifikimin e listave për kandidatë për deputetë dhe të thotë që ky është kriminel e ky jo. Nuk dyshoj që ai këtë e bën me dëshirën më të mirë. Por vendi, i cili konsideron se tjetërkush duhet të merret me spastrimin e listave të kandidatëve për deputetë tregon se nuk është në gjendje të mirë.
Kjo tregon gjithashtu për një dobësi të madhe në gjithë sistemin e drejtësisë apo politikë. Se çfarë do ndodhte po të mos ishte ambasadori amerikan në Shqipëri? Gjysma e parlamentit do të ishin njerëz që merren apo janë marrë me aktivitet kriminal? Kjo është e pakuptimtë për mua. Nuk është ilustrim, është maja e ajsbergut, e kjo tregon për një thellësi të depërtimit të krimit në shoqëri, e thellësi të paralizës së elementëve mbrojtës të shoqërisë ndaj krimit”.