Tabaku: Buxheti i shtetit të jetë në funksion të krizës dhe mjekëve
Përmes një postimi në Facebook, Jorida Tabaku shprehet se Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje në ekonomi dhe sipas saj, nisur nga kjo qeverisje, herët apo vonë shqiptarët do të përballen me nje tjetër pandemi, nëse nuk ndërmerren hapat e propozuara për të shpëtuar ekonominë e gjithsecilit prej nesh.
“Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje në ekonomi!
Sot, çdo vend ka ndërmarrë masa drastike per t’iu përgjigjur krizës së Coronavirus. Çdo qeveri, ka miratuar paketa në mbeshtetje të ekonomisë dhe krizës që Coronavirus ka sjellë per biznesin. Ato, variojnë që nga ndihma direkte me fonde deri tek pezullimi i taksave. PD dhe aleatët kanë qenë konstruktivë duke propozuar masa konkrete që të ndihmojnë ekonominë.
Ekonomia jonë trashëgon një krizë të thellë në këto 7 vite si pasojë e politikave të gabuara fiskale dhe strukturore ekonomike. Konsumi në kushte normale ka qenë i ulët dhe është tejet e pritshme që situata e krijuar këto ditët e fundit dhe në javët në vijim do të prekë edhe më shumë këtë krizë të thellë që do trashëgohet.
Në një situatë të tillë, një qeveri e shëndoshë mendërisht mendon përtej ditës së sotme. Por kokëfortësia aktuale prodhon një dyfishim të krizës, pasi qeveria ende nuk ka ndërmarrë një vendim për të pezulluar pagesat e koncesioneve siç u propozua nga PD. Paratë e PPP-ve mund të përdoren fare mirë në rritjen e kapaciteteve për të testuar sa më shumë qytetarë dhe për të qenë më të pranishëm në këtë kohë krize”, shkruan Tabaku.