Tabaku dhe deputeti gjerman paraqesin në Këshillin e Europës draftrezolutën për dënimin e sulmit në Kosovë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe ligjvënësi i CDU, Knut Abraham kanë paraqitur në tavolinën e Këshillit të Europës një draft rezolutë që dënon sulmin dhe vrasjen e një efektivi të policisë në veri të Kosovës.

“Së bashku me Jorida Tabakun kemi dërguar një mocion për një rezolutë në Këshillin e Europës në lidhje me sulmin e dhunshëm në veri të Kosovës. Jetike për Asamblenë Parlamentare të KE që të gjejë fjalët e duhura për të dënuar këtë sulm terrori” Mocioni dhe projektrezoluta do të pasohet dhe me një debat në Këshillin e Europës ditën e hënë”, shkruan deputeti i CDU. Në një postim në platformën X, Abraham, i cili është edhe pjesëtar i Këshillit të Europës, ftoi Asamblenë e KE që të dënojë sulmin e dhunshëm të paramilitarëve serbë.

Ndërsa i kërko qeverisë së Kosovës dhe EULEX që të paraqesin provat në lidhje me sulmin që kishin paramenduar ky grup terrorist. Deputetja e PD-së, pjesë e grupit të EPP në Këshillin e Europës, bëri publike draft rezolutën ditën e djeshme në senacën plenare ndërsa në atë kohë po diskutohej rendi i ditës. Sipas deputetes demokrate parlamenti i Shqipërisë po gabonte dyfish “duke mos trajtuar çështjen e Kosovës në unison pa ndonjë debat të madh dhe së dyti duke vonuar gjithnjë e më shumë miratimin e projektrezolutës”.

“Kjo rezolutë i bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të dënojnë në mënyrë më të ashpër sulmin e 24 shtatorit dhe i’u bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së të heqin masat e miratuara kundër Kosovës në qershor dhe të kërkojnë nga autoritetet serbe që të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e sulmin, të cilër aktualisht banojnë në Serbi, në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në projekt-rezolutën e propozuar në Këshillin e Europës, që pritet të diskutohet të hënën.

Projekt-rezoluta:

Asambleja Parlamentare është e shqetësuar për sulmin e dhunshëm të 30 paramilitarëve serbë, përfshirë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, që ndodhi më 24 shtator në veri të Kosovës me armë të rënda luftarake kundër patrullave të policisë së Kosovës, duke vrarë një polic të Kosovës. Ne e dënojmë këtë akt agresioni në territorin e Kosovës. Gjithashtu, jemi të alarmuar nga mobilizimet e përsëritura të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe rrëmbimi tre policëve të Kosovës në qershor të këtij viti. Asambleja Parlamentare vëren se ekziston një kërcënim në rritje për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kjo rezolutë i bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të dënojnë në mënyrë më të ashpër sulmin e 24 shtatorit dhe i’u bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së të heqin masat e miratuara kundër Kosovës në qershor dhe të kërkojnë nga autoritetet serbe që të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e sulmin, të cilër aktualisht banojnë në Serbi, në përputhje me sundimin e ligjit.

Kuvendi i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të zbulojë të gjitha provat e incidentit dhe u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare në Kosovë (p.sh. EULEX-it) që t’i vlerësojnë këto prova dhe të përcaktojnë nëse janë bindëse. Për më tepër, Serbia duhet të përmbahet nga çdo përpjekje e mëtejshme përshkallëzimi që cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si parakusht për bisedimet e mëtejshme të anëtarësimit në BE dhe disbursimin e fondeve. Këtu përfshihet përmbajtja nga gjuha e urrejtjes dhe përhapja e gënjeshtrave për “spastrim etnik” dhe “pogrome” në Republikën e Kosovës, për të cilat nuk ka dëshmi.

SHKARKO APP