Tabaku e Bardhi depozitojnë në Kuvend nismën në mbrojtje të profesioneve të lira
Deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi kanë depozituar në Kuvend një nismë ligkjore, që sipas tyre synon mbrojtjen e profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme.
Përmes kësaj nisme ligjore, deputetët Tabaku dhe Bardhi synojnë rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.
“Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë ,” deklaroi Tabaku në videon e postuar në rrjetet e saj sociale.
Ajo theksoi se, gjatë kohës kur vendimi ishte në shqyrtim, qeveria vazhdonte t’u kërkonte këto taksa bizneseve të vogla dhe profesionistëve të lirë, duke treguar një qëndrim të padrejtë ndaj shtresës së mesme.
“Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton”, u shpreh ajo.
Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare. “Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend,” deklaroi Bardhi.