Tabaku i përgjigjet Ramës e Veliajt me video: Ne me fakte, ER me videomashtrime! Gjimnazi “Sami Frashëri” është prishur pa pasur projekt për ndërtimin e tij
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt lidhur me rindërtimin e gënjeshtërt të shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.
“Sado i zoti, gënjeshtari s’e fiton dot kurrë betejën me të vërtetën. Edi Rama dhe cirku i tij i rindërtimit nuk e fshehin dot dështimin dhe korrupsionin që fshihet pas shembje së gjimnazit “Sami Frashëri”. Nuk ka video-montazh manipulues apo projekt 3D që të mbulojë gënjeshtrat. Gjimnazi “Sami Frashëri” është prishur pa pasur projekt për ndërtimin e tij dhe ndërtimi i tij nuk do të bëhet me fondet e BE-së, por me lekët e taksapaguesve. Le të gjejë kohën montazhieri kryeministër dhe t’i përgjigjet këtyre pyetjeve:
- A u rehabilitua “Sami Frashëri” pak muaj para se të prishej dhe Veliaj tha që rron me vite?
- Me çfarë fondesh po ndërtohet “Sami Frashëri”? Veliaj dhe Ahmetaj thanë me fonde të BE, ndërkohë që BE thotë që nuk po ndërton asnjë shkollë në Tiranë me fondet e saj.
- A është shpallur në buletinin e datës 27 Mars projektimi i ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri” dhe anuluar me datë 21 Prill? Pra ku u prish me datë 24 Prill nuk kishte një projekt?
- Ku është procedura e përfunduar e tenderit për shkollën “Sami Frashëri” pse nuk është bërë publike?
- Pse shkollat e Ramës dhe Veliaj janë me kosto 4,5milionë euro dhe të BE-së 700 000 euro?
Kush dhe përse gënjen kaq hapur qytetarët kuptohet që ka për të mbuluar një aferë edhe më të korruptuar!
Ps. Situata tani tek “Sami Frashëri” foto të realizuara paraditen e sotme