Tafaj: Qeveria po ua merr godinat dhe fondet universiteteve për të mbushur administratën e fryrë
Ish-ministri i Arsimir Myqerem Tafaj akuzon Qeverinë e cila në mënyrë abuzive vazhdon të marrë godina nga universitetet publike dhe të shkurtojë buxhetin e arsimit të lartë. Për akuzat e tij Tafaj referon një vendim të datës 28 shtator 2016, ku sipas tij, Qeveria i hoqi një godinë Universitetit të Gjirokastër për ta përdorur për një agjenci qeveritare, pra për administratën e fryrë.
“Pas Qendrës së Studimeve Albanologjike, Fakultetit të Gjeologji Minierave të UPT, Universitetit të Korçës, heqja e godinave universitare preku edhe Universitetin e Gjirokastrës, nderkohe qe ne tre vjet kjo qeveri nuk ka ndertuar asnje godine te re universitare”- shkruan Tafaj.
Gjithashtu, deputeti demokrat thekson se po në të njëjtën datë, Qeveria i heq 88 milionë lekë arsimit të lartë, ndërkohë që buxheti për çdo student në Shqipëri është 30 herë më i ulët në krahasim me atë të vendeve të OECD-së.
“Nëse qeveria do të kishte përdorur këtë fond (88 milion L), që shkurton nga buxheti I arsimit të lartë, për bursa për studentët që vijojnë studimet në degët prioritare të ekonomisë (një detyrim që përcakton ligji i arsimit të lartë), mund të kishte mbështetur të paktën 800 studentë për studimet Master, që duhet të paguajnë rreth 100000 L të reja në vit në universitetet publike.
Kjo tregon se kjo qeveri nuk e ka seriozisht zhvillimin e arsimit të lartë dhe rritjen e cilësisë se tij. Cilësia rritet duke rritur investimin për më shumë pedagogë, për mbështetjen e studentëve, për godina, auditore, biblioteka, infrastrukturë laboratorike mësimore kërkimore dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të universiteteve”- shkruan Tafaj në reagimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

