Tahiri-Nishanit: Dekreto ligjin për Sigurinë pulike
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri lëshoi një apel të fortë për Presidentin Nishani, për të dekretuar ligjin e miratuar pak javë më parë nga parlamenti, për Sigurinë Publike.
Kjo pas sinjaleve se Kreu i Shtetit po nguron të hedhë firmën mbi ligj.
“Është një ligj që u kundërshtua nga opozita. Është një ligj për të cilin po i bëhet thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë. Unë dua të shfrytëzojë rastin për të ngritur edhe një herë nivelin e vetëdijes dhe ndërgjegjes institucionale mbi të gjitha, po dhe shoqërore dhe për të kuptuar që për të qenë më të sigurtë na duhet të lëshojmë pak liria jonë, qoftë edhe nga privatësia jonë, po të doni”, tha Tahiri i pyetur nga mediat.
Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, që për çështje të sigurisë të lëshojnë pak nga vetja.
“Unë preferoj të kemi një shkollë fëmijësh shumë më të sigurtë qoftë të pajisur edhe me kamera se sa të dëgjojë ata që dalin dhe kundërshtojnë dhe bëjnë thirrje Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin apo opozitën që nuk e voton ligjin, që thotë: jo nuk na duhen kamerat, se kemi merak se na filmohen kalamajtë’.
Unë preferoj që kalamajtë të jenë të sigurt se sa mos të jenë të sigurt, por të jenë të pa filmuar”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Tahiri theksoi se asnjë vend nuk është imun nga ngjarjet e mundshme të terrorizmit.
“Ligji për Sigurinë Publike” nuk parashikon masa radikale por parashikon disa masa që vendet e tjera kanë kohë që i kanë marrë dhe përsëri janë në rrezik eminent’ ndaj terrorizmit.
Ne nuk jemi ende aty dhe duhet të bëjmë çfarë është e mundur që të përparojmë për ta bërë vendin më të sigurtë dhe për të dekurajuar ata që kanë në mend të bëjnë një ngjarje kriminale apo më keq, të vënë në rrezik vendin tone”, nënvizoi ministri.
“Ligji për masat shtesë të sigurisë publike” parashikon që në qendrat tregtare të ketë masa shtesë të sigurisë, pasi ka fluks jo të madh qytetarësh, në aeroporte, në mjedise rekreative, në shkolla, në kopshte, në lokalet e natës veçanërisht ato që janë të frekuentuara të ketë masa shtesë të sigurisë, duke filluar nga kontrollet për armë, eksplozivë – deri tek kontrolli i identitetit në disa raste kur duhet, deri tek kamerat e sigurisë.
KOHA JONË SONDAZH

