Tahiri: Pas 21 Qershorit, Bashkitë në shërbim të qytetarëve
Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka organizuar në Pallatin e Kongreseve një aktivitet për prezantimin e 61 kandidatëve të saj për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranë, Saimir Tahiri vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria dhe atë çka do të bëhet duke votuar në drejtimin e duhur.
Tahiri tha se 61 kandidatët e së majtës do të vazhdojnë punën e nisur nga qeveria për rilindjen e qendrave urbane. Ndër të tjera Tahiri tha se krerët e bashkive pas zgjedhjeve të 21 qershorit, nuk do t’i drejtojnë këto institucione për politikë, por për t’u shërbyer qytetarëve.
“Sot kemi një skuadër me 61 kandidatët tanë që do të vazhdojë me shumë fuqi at që kemi nisur në qershorin e 2013, për ta bërë Shqipërinë më të zhvilluar dhe qytetarët më të mirëqenë nëpërmjet punës. Ka nxitje për zhvillim pa asnjë dallim, dhe ka programe që ndihmojnë për këtë. Reforma territoriale i ka dhënë fund kaosit në ndarjen në komuna e bashki. Do jenë në 61 bashkitë e reja jo për politikë, por për t’i shërbyer qytetarëve”, tha Tahiri, duke shtuar se qeveria punon për qytetarët, për sigurinë e tyre, dhe për rritjen e shërbimeve.
Duke u ndalur tek qeverisja e kaluar, Tahiri tha se korrupsioni ishte kthyer në sistem.
“Kemi vizion për drejtimin e duhur, dhe e nisëm nga shlyerja e borxheve që la qeveria e kaluar. Duam të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm. Të gjitha ministritëkanë bërë një punë të madhe deri tani për t’i çuar gjërat në drejtimin e duhur. Padyshim ka ende shumë punë për të bërë. Duam të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme për sot dhe për të ardhmen. Parashikimet edhe nga ndërkombëtarët janë për një rritje të qëndrueshme edhe gjatë 2015”, tha ministri i Brendshëm.
“Jemi në drejtimin e duhur për Shqipërinë që lufton krimin, korrupsionin, dhe trafikimin e drogës. Në 2015, kemi numrin më të vogël të vrasjeve gjatë viteve të fundit. Kemi luftuar korrupsionin brenda vetë sistemit të drejtësisë. Jemi në drejtimin e duhur për t’i dhënë dinjitet shtetit shqiptar. Do të ofrojmë paketa lehtësuese për biznesin në vendin tonë. Miq, ky është vetëm fillimi, pasi ka ende shumë për të bërë. Do të rivitalizojmë qendrat e qyteteve”, u shpreh ai.