Tahiri për pafajësinë e Muçës: Kjo, arroganca e korrupsionit në sistem
Dhënia e pafajësisë nga gjykata për ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë, Ismail Muça, nuk ka kaluar jashtë vëmendjes edhe të kreut të Ministrisë së Brendshme Sajmir Tahiri.
Duke folur në një aktivitet me temë “Parandalimi i krimeve tek të rinjtë”, Tahiri tha se kjo është arroganca e korrupsionit që është ngritur në sistem, që të varfrit i dënon,ndërsa të pasurit i takson.
Tahiri: “Ajo që ka ndodhur këto ditë, kam ndjekur momente publike mbi disa vendime gjykatash dhe ma do mendja që nuk jam as i vetëm, po secili prej jush me të drejtë mund të pyesë pse dënohet ai që suvaton pa leje dhe nuk dënohen zyrtarët e shtetit që legalizuan një kat të tërë pallati që nuk ekzistonte fare?
Pse dënohet ai që vjedh energjinë elektrike dhe nuk dënohen zyrtarët e tatimeve që vodhën mbi 6 milion euro?Çfarë duhet të ndodhë që të gjithë bashkë të ulërasim se po paska njerëz të pandëshkueshëm në shoqërinë tonë, apo se drejtësia vendos sipas xhepit, të varfërit i dënon dhe të pasurit i takson.
Kush mendon se kjo është vepër e donjë prokurori apo gjyqtari të kalbur në korrupsion nuk e ka gabim, por as plotësisht të drejtë. Mbi të gjitha kjo është arroganca e korrupsionit e atyre që as dënohen dhe as turpërohen e kthyer në sistem”.
Një ditë më parë Gjykata e shpalli të pafajshëm ish-kreun e Tatimeve Tiranë, duke mos e gjetur fajtor për akuzën e vjedhjes së 6 milion eurove përmes një skeme mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së.
Pas vendimit, reagoi edhe Prokuroria e Tiranës duke e quajtur absurde pafajësinë e dhënë nga gjykata. Sipas organit të akuzës ishin mbledhur prova të mjaftueshme që e implikonin Ismail Muçën si person kyç në këtë aferë.