Tahiri: Qeveria e vendosur kundër kultivimit të drogës. U asgjesuan 5 mld $ lëndë narkotike
Komisioni i Ekonomisë dhe i Jashtëm miratoi marrëveshjen mes qeverisë dhe SHBA, që ofron 7 milion dollarë ndihmë për agjencitë ligjvënëse, në luftën kundër drogës dhe krimit në tërësi.
Megjithëse drafti u miratua edhe nga opozita, në Komision pati replika mes deputetëve demokratë, Ministrit të Brendshëm dhe Kryetarit të Komisionit Erion Braçe.
Deputeti Florion Mima ka reaguar kur Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se Basha gjatë fushatës elektorale, kishte bërë deklarata në Lazarat se “qeveria e hoqi hashashin nga ky fshat për ta mbjellë në zona të tjera”.
Mima u mundua të thoshte se kjo gjë ishte e pavërtetë. Por Kryetari i Komisionit Erion Braçe ironizoi me deputetin demokrat, të mos e mbronte shumë Kryetarin e PD, se ndoshta në vjeshtë u duhej ta shkarkonin.
Ministri i Brendshëm tha se çdo deklaratë e tillë politike, nuk ndihmon në luftën kundër drogës. Ai ftoi gjithë aktorët e faktorët t’i bashkohen nismës.
“Duhet një front i përbashkët, i qartë që tregon distancë klinike, tonën, të shoqërisë, të elitës, tuajën në luftën kundër krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike”, theksoi Ministri.
Kreu i Ministrisë së Brendshme ktheu një përgjigje në Komision, edhe për deklaratat e deputetit socialist Koço Kokëdhima, i cili inicioi një lobim për ligjërimin e mbjelljes së hashashit, për qëllime mjekësore.
“Nuk më impresiononi duke përmendur deklarata të kujtdo deputeti, qoftë edhe kolegut tim në PS. Qeveria ka një dallim të qartë, që dëshmon vullnetin për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike. Mendimi personal, i kujtdo, keni rastin ta debatoni këtu, në aulat universitare, por ne, qeveria, policia, partnerët e kemi bërë të qartë vullnetin kundër kultivimit. Përtej kësaj duhet bërë kujdes me deklarata, që të mos japim asnjë sinjal sado të largët, se mirëkuptrojmë qoftë edhe në heshtje ata që kultivojnë lëndët narkotike”, tha Tahiri.
239 mijë rrënjë kanabis janë asgjesuar nga policia, që nga janari deri në mesin e korrikut. Në shitje të treg, vlera e saj është mbi 5 miliard euro.
Tahiri tha se kjo shifër dëshmon diferencën me qeverinë e kaluar, që nuk lëvizte asnjë gishtin për të luftuar drogën e mbjellë kudo.
Marrëveshja me SHBA, që ofron 7 milion dollarë për palën shqiptare, në luftën kundër drogës, konfirmon rezultatet e qeverisë dhe na nxit të bëjmë më shumë, u shpreh Ministri i Brendshëm.
I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu në shënjestrën e akuzave të deputetit demokrat Aldo Bumçi sa i përket luftës ndaj krimit dhe narkotikëve.
Përballë këtij debati Tahiri i kujtoi ish-ministrit të Jashtëm Bumçi, tragjedinë e "Gërdecit" ku humbën jetën 26 persona.
Tahiri – Bumçit: Prokuroria ka vërtetuar se nga zyra juaj kanë dalë fakse për Shkëlzen Berishën. Ndoshta dhe ju vetë zoti Bumçi si ish-ministër i Jashtëm duhej të ishit thirrur të dëshmonit për Gërdecin, sepse ju ka dalë emri. Sepse ka problem pandëshkueshmëria.
Bumçi: Ju mashtroni sepse s’ka asnjë fakt zyrtar nga Prokuroria. Çdo devijim tregon se ka probleme. Sepse ambasada e SHBA dhe zëvendëssekretarja Amerikane e Shtetit ka thënë mos kandido njerëz me të kaluar kriminale.
Tahiri – Bumçit: Ndoshta vetëm ballkoni yt mbeti pa u mbjellë kanabis, (duke iu referuar periudhës së një viti më parë kur ende nuk ishte ndërhyrë nga policia në Lazarat, fshatin e konsideruar Republika e Kanabisit).
KOHA JONË SONDAZH

