Takim me OSBE-në, Celibashi e Pelinku tregojnë vështirësitë që po kalon KQZ
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, Lealba Pelinku kanë zhvilluar sot një takim me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR.
Në takim u diskutua mbi përgatitjen e procesit zgjedhor si përdorimi i teknologjisë, vota e shqiptarëve me banim jashtë vendit, financimi i partive politike, keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale e të tjerë.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi foli edhe për sfidat me të cilat përballet KQZ-ja lidhur me ngritjen me vonesë të strukturës së re të institucionit dhe presionin mbi punën e institucionit që shkakton koha e kufizuar deri në zgjedhje.
Lealba Pelinku e vuri theksin tek përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, identifikimin elektronik dhe masat që janë marrë në këtë drejtim, si një risi dhe sfidë e institucionit në këto zgjedhje.
Delegacioni i OSBE-ODIHR-it u takua edhe me anëtarët e Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Delegacioni i OSBE/ODIHR bëri me dije se misioni i tyre ishte mbledhja e nevojave dhe jo monitorimi. Pas dy javësh ky delegacion, bazuar në informacionin e mbledhur, do të dalë me një raport publik mbi nevojat për procesin.