Takimi Basha-Kurti: Do bashkëpunojmë për qytetarët
”Do bashkëpunojmë, për të mirën e qytetarëve. Do të jemi në shërbim të tyre, për të ngritur mirëqenien”, kështu u shpreh kryeministri i Kosovës pas takimit me kreun e PD, Lulzim Basha. Nga ana tjetër, për gazetarët, ai tha se ”E sigurova se për PD dhe opozitën prioritet për bashkëpunim me Kosovën janë të qarta, ne do bëjmë gjithcka për tregti të lirë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Po ashtu mbështesim procesin e njohjes së Kosovës, për vizat, për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Qytetarët e Kosovës mund të mbështeten te ne për çdo ndihmë. Sot në opozitë dhe nesër në qeverisje”.
Deklaratat e kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit në selinë e partisë Demokratike.
Albin Kurti: Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.
Lulzim Basha: Dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e Partisë Demokratike. E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.