”Takimi i madh në portën e Labërisë”, Rama në Tepelenë: Kemi ambicien që qyteti të vizitohet nga 150 mijë turistë

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të premte me fushatën elektorale të 14 Majit. Rama u shpreh se nga një qytet i braktisur, sot Tepelena është kthyer në destinacion turistik, falë investimeve të kryera. Ndërsa prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie në Tepelenë dhe Memaliaj, Rama u ndal te zhvillimi i turizmit në këtë qark.

“Takova disa turiste gjermane që më thanë se do të qëndronin në Tepelenë 4 ditë. Gjermani i fundit nga Tepelena kishte ikur në vitin 1944 dhe këtu jo gjerman, por më shpejt mund të vinin tigra dhe luanë se sa të vinin gjermanë e turistë, ashtu siç ishte katandisur Tepelena”, tha Rama.

Poa shtu Rama theksoi se Tepelena është tashmë destinacion turistik dhe vetëm vitin e kaluar u vizitua nga 15 mijë turistë. “Nga kalaja që është krenaria e Tepelenës, deri lart në Kurvelesh e në Nivicë janë mbi 15 mijë turistë që kanë ardhur në Tepelenë vitin e shkuar dhe kanë qëndruar në këtë zonë. Janë mbi 50 mijë që kanë ndaluar për të parë. Ambicia ime është që Tepelena të bëhet vendi ku të vijnë 150 mijë turistë e të qëndrojnë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u kujtoi banorëve të Memaliajt se janë 4 kompani në garë për kontratën për rrugën Ballaban-Berat. “Mblidheni mendjen në 14 maj dhe bashkohuni fuqimisht me Tepelenën”, tha ai. Kryeministri theksoi se shpallja e Vjosës si lumi i vetëm i egër në Europë nuk është çështje statusi, por është edhe çështje të ardhmeje ekonomike, sepse numri i turistëve do të shumëfishohet vit pas viti.

SHKARKO APP