Takimi me 71 kryetarët e degëve, Basha: Përçarja i shërben Ramës. Kuvendi i 18 Dhjetorit është bashkim i demokratëve
Në mbledhjen me 71 kryetaret e degëve të PD në selinë blu, kryedemokrati Lulzim Basha mësohet të ketë thënë që detyra kryesore është që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit, pasi për të nga përçarja e PD përfiton vetëm Edi Rama.
”Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojnë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri-tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që i po i bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”,-tha Basha.
Sipas zyrës së shtypit të PD-së, kreu Basha ngriti me kryetarët e degëve shqetësimin për qëndrimet sipas tij antistatutore të Berishës, për të cilin tha se nuk njeh asnjë institucion të PD, nuk njeh asnjë vendimmarrje.
“Kjo histori e përdorimit të demokratëvë si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë që ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”.
Për Kuvendin Kombëtar janë dhënë dy data, me 11 dhjetor e ka thirrur Sali Berisha me 4200 firmat e anëtarëve të PD, dhe me 18 dhjetor e kërkon PD-ja me propozim të Bashës dhe të miratuar nga Kryesia.