Takimi me Ballën dhe Alibeajn, Yuri Kim: Refuzoni përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë
Ambasada Amerikane në Tiranë, ka dhënë detaje për takimet që ambasadorja Yuri Kim zhvilloi këtë të premte me kryetarët e partive politike në Shqipëri. Kim nënvizoi gjatë takimeve sipas Ambasadës, rëndësinë që ka bashkëpunimi i partive për të refuzuar përpjekjet që minojnë demokracinë e Shqipërisë.
”Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri.
Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate”, mbyllet reagimi i ambasadës.