Takimi me dyer të mbyllura në Presidencë, Basha: Domosdoshmëri zgjidhja e krizës politike

Ditën e sotme, kreu i Shtetit Ilir Meta priti në Presidencë krerët e partive opozitare ndërsa është zbardhur një pjesë e diskutimeve që janë zhvilluar në këtë takim.

Mësohet se opozita i ka kërkuar Metës zgjedhje të parakohshme ndërsa është zotuar në përfshirjen dhe kontributin e saj në reformën zgjedhore.

Gjitashtu, është mësuar se brenda mbledhjes opozita ka premtuar dorëzimin e një drafti me propozime për këtë reformë nga partitë brenda koalicionit opozitar.

Po ashtu është diskutuar edhe për ngërçin e krijuar në emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi.

Në përfundimin e takimit në Presidencë një komunikim të shkurtër për gazetarët pati kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i cili tha se për çështjen do të ketë një komunikim zyrtar nga ana e kryedemokratit Basha.

Ky i fundit, tha se është domosdoshmëri zgjidhja e krizës politike.

“Gjatë takimit me Presidentin Meta u njohën me provat tronditëse të asaj që e kemi ditur dhe thënë edhe më përpara, të ndërhyrjes flagrante të Kryeministrit të vendit në procesin e Reformës Zgjedhore dhe konkretisht, në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Këto prova dhe fakte tronditëse vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i Reformës në Drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese.

PD dhe aleatët tanë e kanë konsideruar prej fillimit këtë një grusht kushtetuese, por përtej kësaj edhe një provë më shumë se me këtë qeveri, Reforma në Drejtësi është e rrezikuar; drejtësia e pavarur që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, mbetet një iluzion.

E kemi parë këtë në rastin e Saimir Tahirit, në rastin e hetimeve të ndaluara dhe të sabotuara për manipulimin e procesit zgjedhor në dosjen 184 dhe në dosjen 339; e kemi parë në rastin e varrosjes së aferave të tmerrshme korruptive të kësaj qeverie. 

PD dhe aleatët qëndrojnë për një reformë sipas Kushtetutës jo sipas planeve, anktheve, problemeve korruptive të qeverisë”, nënvizoi Basha.

Basha duke folur për mediat gjatë mesditës së sotme është shprehur se ka gati platformën për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme. Sipas Bashës, Rama prej 4 muajsh refuzon dialogun dhe ndërmjetësimin nga ndërkombëtarët.

“Propozimet do të jenë gati jo më vonë se fillimi i dhjetorit dhe për ne nuk ka asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë”, deklaroi Basha.

Pjesë nga deklarata e kreut të PD-së, Lulzim Basha:

E dyta është domosdoshmëria për zgjidhen e krizës politike. Kjo detyrë është shtruar prej muajsh nga Gjermania përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut, është shtruar nga partnerët tanë strategjikë, opozita ka shprehur gatishmërinë për një reformë zgjedhore.

Prej më shumë se 4 muajsh Rama ka refuzuar dialogun dhe ndërmjetësimin së paku në 4 raste në një tentativë për të mbuluar krizën ku ndodhet vendi.

Shtyrja e afatit të komisionit është një tjetër tentativë. Ne nuk e mbështesim shtyrjen për kalendat greke të reformës zgjedhore.

Javën e ardhshme opozita do të konkretizojë të gjithë projektin e saj, propozimin e plotë për reformën zgjedhore ndërkohë që nga ana tjetër kemi pasur vetëm kushtëzim, sabotim. Ky është një film, i parë dhe stërparë: qeveria përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës.

Propozimet do të jenë gati jo më vonë se fillimi i dhjetorit dhe për ne nuk ka asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë. Nuk i mungon asnjë Shqipërisë asgjë në krahasim me Maqedonisë e veriut, që u viktimizua për hir të Shqipërisë e megjithatë lideri atje mori përgjegjësitë. Ne do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitës

Ndaj ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshueshme të opozitës dhe do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitës, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë që janë në shumicë numerike për zgjedhje të parakohshme parlamentare për zgjidhjen e kësaj krize që po shkatërron ekonominë e vendit për të marrë pastaj të gjithë së bashku të gjithë hapët e nevojshëm që i takojnë një shoqërie të civilizuar në qoftë se përballet me një qeveri autokrate të paligjshme që pengon shprehjen e vullnetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

SHKARKO APP