Takimi me Metën, Boldrini: Është në interes të dy vendeve lufta kundër narkotrafikut. Mbështesim Shqipërinë për integrimin në BE
Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, mbërrin për një vizitë dyditore në vendin tonë, Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini.
Të dyhomologët kanë zhvilluar një takim në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, e më pas ata mbajtën dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Ilir Meta shprehur falënderimet e tij për mbështetjen që Italia ka dhënë për integrimin e Shqipërisë në BE. Meta deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.
Ndërsa Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini, teksa shprehur mirënjohjen e saj për pritjen e rezervuar dhe dekoratat që ajo do të marrë pas këtij takimi, theksoi se Italia e ka mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“Ndaj e konsideroj tepër të vlefshme reformën kushtetuese, kjo në vijim edhe të reformës në drejtësi. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, ashtu siç tha dhe z. Meta janë të shkëlqyera. Shqiptarët janë një komunitet shumë i madh në numër dhe një komunitet i integruar në Itali në mënyrë mjaft të shkëlqyer. Sigurisht jka qenë një mundim shumë i gjatë, por përmes vetëmohimit të tyre ata ia dolën të integrohen më së miri në Itali. Përmes sipërmarrjeve që ka krijuar, jo vetëm duke punësuar veten, por dhe mjaft italianë, sigurisht që është një hap shumë i madh që ata kanë bërë. Pra, integrimi është mëse i mundur, dhe nuk mund të luftohet përmes ngritjes së mureve. Unë u vura në dijeni për numrin e madh të shtetasve italianë që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri, po ashtu edhe numri i madh i studentëve italianë që studion në Shqipëri, kjo ishte diçka e pamendur më parë se do ndodhte”- tha Boldrini.
Dy krerët e parlamenteve u pyetën edhe rreth çështjes së narkotrafikut mes dy vendeve, pyetje që iu përgjigj vetëm kryeparlamentarja italiane.
“Unë besoj se është në interesin e të dy vendeve tona që të luftojnë narkotrafikun dhe trafikun e qenieve njerëzore. Duhet të bëjmë gjithnjë dallimin e atyre që janë viktima dhe atyre që merren me këtë çështje”- tha Boldrini.
Por ajo shtoi se komuniteti arbëresh në Itali përbën një traditë të veçantë sa i përket trashëgimisë kulturore. Sot ndodhem këtu për rikonfirmuar vijimin e një historie shumë të gjatë e miqësisë dhe bashkëpunimit.
Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini rreth orës 13.00 do të mbajë një fjalë përshëndetëse në seancën plenare.
Gjatë kësaj vizite, Boldrini do të takohet edhe me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.
Në orën, 17:30, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati do të presë në MPJ Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, Laura Boldrini.
Boldrini do të marrë edhe titullin qytetare nderi e Kukësit, për kontributin e saj për refugjatët në vitin 1999 si kryetare e UNHCR.
KOHA JONË SONDAZH

