Takimi me Sekretarin e Vatikanit, Presidenti Begaj: Konsolidim të sigurisë në Ballkanin Perëndimor

Në vizitën e parë në Vatikan, Presidenti shqiptar Bajram Begaj zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Kreu i shtetit tregon se e njohu Kardinalin Parolin me progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian, të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe me kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Postimi i plotë

Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë sot, u takova me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Vlerësova rolin dhe mbështetjen që Selia e Shenjtë dhe në mënyrë të veçantë Papa Françesku kanë dhënë jo vetëm për rimëkëmbjen shpirtërore të shqiptarëve të besimit katolik, por veçanërisht për vlerësimin e modelit të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare të shqiptarëve.

E njoha Kardinalin Parolin me progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe me kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Shpreha besimin për angazhimin e mëtejshëm të Shtetit të Vatikanit në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me gjithë progresin e bërë, paqja dhe siguria në rajon mbeten ende shumë të brishta, ndaj dhe arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit.

SHKARKO APP