Takimi me zv/kryeministren e Kosovës, Basha: Beogradi nuk ndahet nga fantazmat e së kaluarës

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka takuar këtë të hënë zv.Kryeministren njëkohësisht dhe Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën. Në takimin e zhvilluar, sipas selisë blu, ata ndanë mendime të njëjta mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si dhe domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial dhe shtetëror.

Në deklaratën e PD-së, thuhet se Basha theksoi se mbyllja e dialogut me njohje respektive është interesi i gjithë rajonit. Kontributi i parë që BE mund të japë në dialog është të bindë 5 vendet anëtare ta njohin Kosovën.

Kryedemokrati theksoi se Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë se interesat e Kosovës në marrëdhëniet rajonale. Sikurse kanë treguar zhvillimet e fundit, nisma e Novisadit është konceptuar si makiazh i imazhit të Serbisë, ndërsa Beogradi siç dëshmojnë ngjarjet e këtyre javëve nuk ndahet nga fantazmat e së kaluarës duke risjellë platforma si ajo e Botës Serbe.

Kreu i PD-së i shprehu zv.kryeministres kosovare urimet ndaj qytetarëve dhe forcave politike për mbajtjen e zgjedhjeve model në Kosovë, një leksion demokracie edhe për Shqipërinë. Po ashtu u diskutua mbi Luginën e Preshevës, pasivizimin e adresave dhe diskriminimin që u bëhet shqiptarëve.

Basha përsëriti qëndrimin e tij, se Shqipëria duhet të mbrojë dhe mbështesë fuqimisht interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Serbi.

SHKARKO APP