Takimi urgjent i NATO-s, Xhaçka: Shqipëria gati të pres mijëra afganë, po pjesa tjetër pse jo?
Kriza në Afganistan ka bërë që të bëhet një mbledhje urgjente e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, rikonfirmoi se vendi ynë është gati të presë fëmijët, gratë e burrat, jeta e të cilëve është në rrezik nga situata e rënduar e sigurisë. Sipas saj kjo është Kjo është një sfidë për NATO-n në terësi dhe nëse Shqipëria mund ta bëjë këtë, pse jo pjesa tjetër?
“Edhe pse të gjithë sot kanë në mendje 1000 pyetje e diskutime të mundshme për atë që ka ndodhur dhe atë që do të jetë e ardhmja e NATO-s, çështja kryesore, në fakt e vetme, ku duhet të fokusohemi sot janë gratë, fëmijët dhe burrat afganë që sot rrezikojnë jetën sepse punuan për ne. Është e papranueshme që vendet anëtare të NATO-s të mos arrijnë dot t’ju ofrojnë strehim dhe një jetë të re njerëzve që punuan dhe luftuan për të ardhmen që ne ju premtuam!“, tha kryediplomatja Xhaçka gjatë fjalës së saj, ku ndër të tjera njohu pjesëmarrësit edhe me masat e marra nga qeveria shqiptare për pritjen e qytetarëve afganë.
Në përfundim të takimit, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s aprovuan edhe një deklaratë të përbashkët. Xhaçka theksoi se vendet anëtare të NATO-s kanë një detyrim ndaj njerëzve që punuan dhe luftuan me to. “Ne mund dhe duhet të ndihmojmë. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e NATO-s po aq sa edhe për misionin humanitar”.