Takoi Bashën, Balla: Kam qëlluar në një ashensor edhe me Sali Berishën
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, në një dalje për mediat në përfundim të seancës plenare, i pyetur nga gazetarët ka mohuar që të jetë takuar me Lulzim Bashën në Dhjetor të vitit 2022.
Balla tha se ka qëlluar edhe në një ashensor me Sali Berishën, por as atë nuk e ka takuar.
Përgjigjet e tij erdhën pas një videoje të publikuar kur Balla hyn në një pallat disa minuta pasi në të ishte futur Lulzim Basha.
Pyetje: A e keni takuar Bashën në Dhjetor të vitit 2022?
Taulant Balla: (Qesh) Jo nuk e kam takuar.
Pyetje: Atëherë si ka mundësi që në të njëjtin pallat 20 minuta pas tij keni hyrë dhe ju dhe nuk keni bërë përgënjeshtrim?
Taulant Balla: Unë kam qëlluar në të njëjtin ashensor edhe me Sali Berishën. Tani pyes, i bie që të kem takuar edhe atë? Nuk e kam takuar as atë.
Sa i takon zgjedhjeve të 14 majit ai iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për blerje votash. Balla tha se humbsi e sheh fajin te ai që ka fituar, por sipas tij secili duhet të mbajë përgjegjësinë e vet.
“Mendoj që koha kur në Shqipëri humbësi e sheh fajin tek ai që ka fituar nuk ka dhënë rezultat. Secili duhet ta shohë përgjegjësinë vetë. Edhe ne do duhet që të bëjmë një analizë të mirë të rezultatit për të parë”, u shpreh Balla.