Taulant Balla: Ftoj opozitën të ulemi në tryezë për ligjet e reformës në drejtësi
Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një dalje për mediat i bëri thirrje opozitës që të ulen për të diskutuar disa ligje që lidhen me reformën në drejtësi. Ndërkohë që nuk harroi të theksonte se opozitë për maxhorancën është Partia Demokratike.
“Dua t’ju informoj se prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë po punohet për një paketë ligjesh që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Me kolegen Bushka do të kërkojmë që me opozitën të kemi mundësi që të flasim në mënyrë që këto ndryshime që vijnë si sugjerime na institucionet ndërkombëtare, të ecin përpara. Shpresoj që të ulemi si shumicë me opozitën. Ka një grup pune, ku maxhoranca dhe opozita kanë punuar së bashku. Unë nuk caktoj dot se kush është opozita në Kuvendin e Shqipërisë. PD është opozita në Kuvend që është shumica e opozitës. Në këtë kontekst, duhet që për hir të punës së përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë që të punojmë së bashku. Në këtë këndvështrim, mezi pres që të ulemi dhe të diskutojmë që të votojmë për sa kohë shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë shumicë prej 3/5 të votave. Çdo grup parlamentar ka vendimmarrjet e veta, për sa kohë kemi të njëjtin pozicion, kjo sjell dhe mundësinë për t’i votuar së bashku. Kuvendi duhet të ndërhyjë për të përmirësuar kuadrin ligjor”, tha Balla.