Taulant Balla rendit sukseset në 100 ditët e para si Ministër i Brendshëm
Në vijim reagimi i plotë i ministrit Taulant Balla:
Prej ditës së parë si Ministër i Brendshëm kam kuptuar se suksesi në këtë detyrë publike është i pamundur pa krijimin e një fryme skuadre në përpjekjen për të përmbushur objektivat në këtë sektor sfidues.
Kam shtërnguar duart me një pjesë të madhe të efektivëve dhe do të vijoj të takohem e dëgjoj me vëmendje çdo anëtar të kësaj trupe.
Sepse unë i respektoj ata për dijet, eksperiencën, profesionalizmin. I kam qëndruar dhe do t’i qëndroj angazhimit tim për t’i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën.
Siç e keni parë unë nuk bëra si disa paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë, duke e nisur punën me ndërrimin e drejtuesve dhe të shefave.
I kam qëndruar bindjes dhe standardit se unë, Ministri i Brendshëm, kam nderin e madh të jem në këtë përgjegjësi për t’i udhëhequr, duke i dëgjuar, duke i mbështetur, duke mësuar prej tyre dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Vermoshi deri në Konispol.
Rezultatet e arritura sëbashku në këto 100 ditë janë vetëm fillimi i një qasje të re dhe sistematike.
Ndërsa Shqipëria ka përmbyllur sezonin turistik më të suksesshëm për nga numri i vizitorëve dhe nga cilësia e sigurisë publike, Policia e Shtetit po angazhohet çdo ditë për të garantuar shkolla, komunitete, rrugë, samite apo evente ndërkombëtare të sigurta.
E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe ditë pas dite rikthimi i besimit tek Policia e Shtetit po avancon në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme.
Por e ardhmja nuk do të ketë krahasim me të sotmen dhe unë kam nderin e madh, besimin e Kryeministrit, të shumicës së Kuvendit dhe shpresoj të shumicës së shqiptarëve për të vazhduar ndërtimin e besimit të duhur tek Policia e Shtetit edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.
Procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit ka hyrë në një fazë të re dhe rezultatet e para janë vetëm fillim i mbarë, që presim të gjithë. Kush nuk do të vrapojë me të njëjtin ritëm, kush nuk do të respektojë ligjin dhe kodin etik, kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.
Shpresoj që me ndihmën e Zotit dhe me bashkëpunimin e mbështetjen tuaj të jemi fuqia e madhe e ndryshimit të mëtejshëm, që shqiptarët duan dhe meritojnë nga ne.