Taulant Balla shpjegon pse thotë që Berisha do jetë ”non-grata” edhe nga BE-ja
Gjatë kësaj jave, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla ka përsëritur disa herë se Sali Berisha mund të shpallet ”non-grata” edhe nga Bashkimi Europian, pas shpalljes nga SHBA-ja dhe Britania. Për ”Euronews Albania”, Balla tha se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen duke iu adresuar Parlamentit Evropian, është shprehur se BE-ja duhet të aplikojë të njëjtat instrumenta si SHBA-të dhe Britania e Madhe, për personat që minojnë demokracinë në vendet aspirante që duan të anëtarësohen në BE.
“Katrani me bojë nuk është fyerje, është thjesht dhe vetëm në një lloj forme, do ta quaja epiteti apo metafore, që katran me bojë është ”non-grata”. Prej disa kohësh ka pasur diskutim në Parlamentin Evropian, sesi instrumentat që ka në dispozicion Bashkimi Evropian t’i përdorë njëlloj si SHBA-të dhe Britania e Madhe për sanksionet.
Ka qenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen e cila në adresimin që i bëri Parlamentit Evropian, ka deklaruar se tanimë BE ka ardhur në pikën që ndaj personave të cilët minojnë demokracinë, në vendet aspirante për t’u anëtarësuar në BE, duhet të përdorin sanksionet e parashikuara dhe unë mendoj që është çështje kohe. Komisioni Evropian e ka dhënë dritën jeshile, nuk kam asnjë dyshim që edhe BE, për vendet aspirante do t’i aplikojë këto instrumenta”.