Taulant Balla në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit: Sezoni nuk ka mbaruar akoma, ndaj puna vazhdon
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me strukturat e Policisë së Shtetit në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit në Shkodër.
Në fjalën e tij Balla ka përgëzuar uniformat blu për punën e bërë për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe të fluksit që ka patur tek të dyja pikat kufitare, Muriqan dhe Hani i Hotit, si dhe ka nënvizuar se puna duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
“Keni zhvilluar një punë shumë të mirë në mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe të fluksit që kanë patur të dyja pikat kufitare që mbulon kjo drejtori, edhe Muriqani edhe Hani i Hotit. Ka pasur një fluks si asnjëherë tjetër. Më vjen mirë për koordinimin edhe nën drejtimin e drejtorit Boshnjaku me policinë kufitare të Republikës së Malit të zi. Edhe unë vetë, qoftë me Kryeministrin Abazoviç, qoft me Ministrin e Brendshëm Axhic, kam patur kontakte ku është dashur nevoja për të ndërhyrë, për të kaluar në një regjim të lehtësuar. Dhe dua t’ju them që sezoni nuk ka mbaruar akoma, ndaj puna vazhdon”, ka thënë Balla.