Tavo: Shqipëria rrezikon anulimin e negociatave, Rama po saboton zgjedhoren se i ka të humbura zgjedhjet
Parlamenti Europian i ka kërkuar Shqipërisë përmbushjen e 15 kushteve para Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo, thotë se ky vendim e vë Shqipërinë me shpatulla pas muri, duke rrezikuar seriozisht anulimin e procesit të negociatave për shkak edhe të metodologjisë së re të zgjerimit.
Tavo: Ky vendim na vë me shpatulla në mur dhe politika duhet të angazhohet seriozisht në plotësimin e këtyre kushteve para Konferencës së parë. Para disa vitesh kemi pasur vetëm 5 kushte, kemi qenë para Serbisë, Malit të Zi e Kroacisë. Rrezikojmë të anulohet fare procesi i negociatave. BE me metodologjinë e re, nëse një vend nuk plotëson kushtet procesi pezullohet dhe rinis. Do të ishte një disfatë për Shqipërinë dhe nuk do doja kurrë të ndodhte. BE kërkon luftë kundër korrupsionit, ne renditemi vendi i parë për korrupsionin në kontinent.
Reforma zgjedhore është një prej kushteve kryesore të BE dhe Tavo në një intervistë për Ora News thotë se Rama po kërkon sabotimin e saj duke përdorur deputetët opozitarë, pasi e di mirë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare i ka të humbura.
Tavo: BE kërkon reformë zgjedhore, mazhoranca duke përdorur deputetët e opozitës parlamentare po kërkon ta sabotojë. Rama e di shumë mirë që zgjedhjet i ka të humbura. Nëse minimizohet manipulimi i votave kjo mazhorancë do të jetë në minorancë nesër.Identifikimi biometrik i heq një mundësi të madhe manipulimi. E dinë shumë mirë dhe po përpiqen të sabotojnë reformën zgjedhore. Nuk dalin dot vetë dhe nxjerrin deputetët e opozitës.
Po bëhet një show nga mazhoranca, u detyruan të uleshin në tryezë me të gjithë faktorët. Nuk kanë bërë asnjë lëshim. Kjo mazhorancë e detyruar nga faktori ndërkombëtar, nga kushtet e BE, u ul në tavolinë, u detyrua të pranojë konsensusin. Opozita nuk kërkon fitore dhe pushtet në tavolinë por proces zgjedhor të ndershëm ku vota e qytetarëve shqiptarë të mos deformohet.
Në marrëveshjen politike të 5 qershorit, opozita u detyrua të tërhiqet nga kërkesa kryesore e saj, qeveria tranzitore.
Por Tavo thotë se qeveria teknike nuk është mekanizmi që garanton një proces të ndershëm zgjedhor.
Tavo: Për mua nuk është qeveria tranzitore që garanton një proces të ndershëm, por ligjet, kodi zgjedhor, me sanksionimin e identifikimit biometrik dhe dënimit të krimeve zgjedhore. Në 1 korrik Gjermania merr Presidencën e BE, Bundestagu luan rol të rëndësishëm në këtë proces dhe nuk harron. Faktori politik shqiptar, mazhoranca që ka peshën kryesore duhet të shfaqë përgjegjshmërinë maksimale në këtë proces, të angazhohet të plotësojë 15 kushtet para konferencës së parë.