“Të gjitha këmbanat e alarmit bien për Edi Ramën!”

Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu, thotë se rezoluta e miratuar nga Partitë Popullorë Europiane është një kambanë që bie për qeverinë e Edi Ramës.

Në një postim në Facebook, Kashau shprehet se rezoluta shënon një pikë kulmore të shqetësimit të perëndimit të shprehur ndonjëherë për vendin tonë në këto 30 vjet

Postimi i plotë i Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu

Miqtë e Shqipërisë në EPP sot miratuan rezolutën e radhës për Shqipërinë e cila përbën shprehjen e interesit të lartë të Partisë Popullore Europiane për zhvillimet në vendin tonë si dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Rezoluta shënon një pikë kulmore të shqetësimit të perëndimit të shprehur ndonjëherë për vendin tonë në këto 30 vjet. Në përmbajtje të saj kambanat e alarmit për keq-qeverisjen dhe dështimin e plotë në drejtimin e vendit, bien për Edi Ramën! Më poshtë teksti i plotë i rezolutës.

Rezolutë e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane

7 dhjetor 2020

  • Duke mbajtur parasysh konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në 25 Mars 2020;
  • Duke patur parasysh rekomandimet e Parlamentit Europian të datës 19 Qershor 2020 mbi Ballkanin Perëndimor;
  • Duke mbajtur në konsideratë kushtet e rëndësishme të vendosura nga Këshilli Europian dhe mbështetur nga Parlamenti Europian që Shqipëria duhet të përmbushë, përfshirë edhe parakushtet që duhet të përmbushen përpara takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare me BE.
  • Duke vlerësuar përkushtimin e fortë dhe të palëkundur të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndaj procesit te integrimit europian të Shqipërisë.
  • Duke mbështetur angazhimin e BE për procesin e zgjerimit mbi bazën e përmbushjes së kushteve për anëtarësim nga ana e vendeve aplikante.
  • Duke nënvizuar rëndësinë e procesit të integrimit si një katalizator për reformat dhe duke mirëpritur mbështetjen që ky proces gëzon mes shqiptarëve.

Partia Popullore Europiane:

  1. E vetëdijshme se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe politike, i bën thirrje partisë në pushtet dhe opozitës në Shqipëri që të ndërmarrin çdo përpjekje për të tejkaluar këtë krizë të thellë dhe serioze.
  2. Vlerëson si jetike rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 25 Prill 2021, për avancimin e mëtejshëm të procesit integrues të vendit në BE.
  3. Vlerëson legjislacionin elektoral të miratuar me konsesus mes palëve, por dënon ligjet e mëvonshme të njëanshme të miratuara nga qeveria të cilat dhunuan marrëveshjen e 5 qershorit, duke minuar kështu besimin e publikut dhe të Europës.
  4. Nxit Parlamentin e Shqipërisë që të respektojë dhe të zbatojë menjëherë opinionin që do të vijë nga Komisioni i Venecias, i kërkuar nga Shqipëria në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit.
  5. Bën thirrje për procedimin penal të të dyshuarve përfshirë zyrtarë të partisë në pushtet, për blerje votash dhe manipulime zgjedhore, siç është bërë publike në dosjet penale 339 dhe 184, të ekspozuara edhe në median Europiane. Thekson se është i papranueshëm pengimi i drejtësisë dhe vazhdimi i pandëshkueshmërisë.
  6. I bën thirrje Shqipërisë që të sigurojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjyaktës së Lartë dhe të institucioneve të tjera të drejtësisë.
  7. U bën thirrje autoriteteve që të luftojnë pastrimin e parave përfshirë ato në ndërtim siç rastet në Bashkinë e Tiranës demostrojnë.
  8. Vë në dukje se përtej progresit institucional në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe rasteve të shumta të korrupsionit të nivelit të lartë, asnjë rast i korrupsionit në nivele të larta nuk është hetuar në mënyre domethënëse, apo dërguar përpara drejtësisë. I bën thirrje Shqipërisë që të japë shembuj të qartë të progresit në këtë drejtim.
  9. Risjell në vëmendje shqetësimin e përsëritur të BE në lidhje me Ligjin për Mediat të dhjetorit 2019 dhe opinionin përkatës të Komisionit të Venecias të publikuar në Qershor 2020, dhe shpreh pakënaqësinë se qeveria dhe parlamenti nuk kanë vepruar ende në lidhje me to.
  10. Shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për të adresuar shqetësimet legjitime dhe aspiratat europiane të qytetarëve te Shqipërisë.

 

SHKARKO APP