Të gjithë me maska për ndryshimin e Kushtetutës, dalin pamjet nga mbledhja, Rama vendoset në qendër të tavolinës

Ka nisur mbledhja e Këshillit Politik në Pallatin e Kongreseve, për herë të parë do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, dhe ku do të diskutohen ndryshimet Kushtetuese, të propozuara nga socialistët.

Përveç Ramës në mbledhje janë të pranishëm dhe Damian Gjiknuri nga PS, Oerd Bylykbashi dhe Gazment Bardhi nga PD, Petrit Vasili nga LSI, dhe Rudina Hajdari e Myslim Murrizi nga opozita parlamentare, e cila duket se ka forcuar pozitat, me pretekstin se nuk jep votat për Reformën pa ndryshimet Kushtetuese.

Ndërkohë që ndryshe nga sa u tha fillimisht që në takim mund të ishte dhe presidenti Meta, ky i fundit ka zgjedhur që të qendrojë mbi palët, dhe të mos përfshihet në diskutimet për ndryshimet e Kushtetutës, që sipas tij nuk mund të ndodhin pa dakordësi të gjerë dhe pa një referendum qytetar.

Në të njëjtën ditë kur u ftua nga rivali i tij Edi Rama që të ishte i pranishëm po ashtu në Këshillin Politik, Lulzim Basha ka udhëtuar drejt Kosovës, ku do të ketë një takim me krerët më të lartë të shtetit atje, përfshirë kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe presidentin Hashim Thaçi.

Këshilli Politik po rimblidhet pas kërkesës së PS për të diskutuar çështjet që dalin jashtë Marrëveshjes së 5 Qershorit. Marrëveshja e 14 Janarit dhe Dakordësia e 5 Qershorit i detyron palët të diskutojnë në Këshillin Politik çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.

Çështja kryesore që del jashtë Marrëveshjes është ajo e ndryshimeve kushtetuese, e pranuar nga PS  pas dakordësisë së 5 Qershorit. Ndryshimet kushtetuese heqin koalicionet parazgjedhore nga kushtetuta dhe ndalojnë partitë të garojnë në koalicion me lista të veçanta.

PD dhe opozita kanë argumentuar se ndryshimet e njëanshme kushtetuese prishin marrëveshjen e 5 Qershorit, pasi koalicionet parazgjedhore janë pjesë e draftit të dakordësuar me ndërmjetësim ndërkombëtar.

PD dhe opozita theksojnë se drafti i dakortësuar sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit duhet të miratohet pa asnjë ndryshim. Kjo do të thotë se çështjet e dakordësuara aty nuk mund të rihapen.

Miratimin pa ndryshime të Marrëveshjes e kanë kërkuar SHBA dhe BE. Vende kyç si Gjermania, kanë paralajëmëruar qeverinë se miratimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese, pa konsensus, në thyerje të Marrëveshjes së 5 Qershorit, do të sjellë bllokimin e nisjes së negociatave.

SHKARKO APP