”Të gjithë në një ditë”, Patozi: Nga Sulltani i Turqisë, Presidenti Meta që merakoset për bashkitë dhe lufta mes PD në Kuvend

Astrit Patozi ka bërë një rezyme të ngjarjeve të ditës. Për të sot kishin një mori lajmesh, që nga ardhja e sulltanit të Turqisë, te Presidenti Meta që merakoset për bashkitë dhe lufta mes PD-së që vijon edhe në Kuvend, pikërisht në sesionin e parë. ”Që të gjitha këto në një ditë, ndoshta si një kushtrim i qartë për të mos e humbur shpresën, sepse asnjëherë nuk duhet menduar me pesimizëm që më e keqja ka mbërritur në këtë vend”.

Postimi i plotë

Të gjithë në një ditë…

Ndërkohë që Sulltani i Turqisë pritej me nderime të larta në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, pothuajse i braktisur prej të gjithëve, kishte vajtur të qante në Lezhë tek varri i Skënderbeut.

Po në ato orë patetiko-patriotike u shty sërish për në përjetësi gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm, por po ashtu edhe vendimi i Kushtetueses për fatin e mëtejshëm të Presidentit. Autori dihet që është Covidi, armiku i padukshëm, sipas kryeministrit, i cili në Shqipëri më shumë është problem për drejtësinë, se sa për spitalet dhe azilet e pleqve.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, i cili pret (mos) shkarkimin nga shtyrja e gjyqit, është shumë i shqetësuar për 6 bashkitë e vendit, që kanë mbetur prej dy vjetësh pa kryetar. Por ngaqë nuk është kaq e lehtë ta mësosh se atje duhen bërë zgjedhje, u ka nisur letra faktmbledhëse disa institucioneve.

Sepse Shqipëria është një shtet strikt ligjor dhe kushtetues, ku presidenti nuk është vetëm kreu, por dhe simboli i tij. Deri tani ka kërkuar sqarime nga KQZ dhe qeveria, por nëse përgjigjet e tyre nuk mjaftojnë, letra mund t’i shkojë edhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në parlament sesioni i ri i legjislaturës nis me një betejë epike mes dy gjysmave të opozitës për legjitimitetin e vulës, ku e vetmja akuzë për qeverinë është se ka zgjedhur njërën palë në dëm të tjetrës. Që të gjitha këto në një ditë, ndoshta si një kushtrim i qartë për të mos e humbur shpresën, sepse asnjëherë nuk duhet menduar me pesimizëm që më e keqja ka mbërritur në këtë vend…

SHKARKO APP