Të gjithë po luajnë me lojën e Lu-së
Tani që puna me stërmundim dhe përplasje për reformën në drejtësi po shkon drejt një produkti final, të gjithë e kemi më të qartë pozicionimin e palëve për atë që nisi si një inisiativë e ndërkombëtarëve për të regulluar sistemin e drejtësisë. Procesi i gjatë, deklaratat kundërthënëse, loja e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës kanë bërë që të lexohen më mirë synimet e të gjitha palëve, pushtetit, opozitës dhe ndërkombëtarëve. Të tërë ndryshe sillen dhe ndryshe veprojnë.
Le t’i marrim me radhë:
Edi Rama bën si i painteresuar për detajet e kësaj reforme, deklaron gjithëandej se nuk e ka lexuar draftin, se kjo është një punë ekspertësh dhe se ai i’a ka lënë në dorë aleatëve ndërkombëtarë dhe profesionistëve këtë punë.
Por, të gjitha këto fshehin një qëllim më të madh: Tek e fundit Rama e di se ai është njeriu i vetëm që përfiton nga kjo reformë. Jo vetëm sepse një pjesë të fajit për qeverisjen e tij katastrofale, ai ia ka hedhur këto dy vite peshores së prishur të drejtësisë, por edhe për një arsye tjetër.
Ata që do të largohen nga sistemi dhe ata që do të vijnë, mënyra se si do të filtrohen dhe mënyra se si do të emërohen, në një vend si Shqipëria, nuk mund të bëhet pa dominimin e pushtetit. Ndaj në fund të procesit sado e madhe të jetë mbikqyrja e ndërkombëtarëve, Rama do të ketë më shumë kontroll. Prandaj ai bën sikur rri larg dhe i pashqetësuar pasi ai pret frytet e një peme që po e vadisin të tjerët.
Ilir Meta, ndryshe nga aleati i tij nuk e do këtë reformë. Ai është i bindur se ajo mund të veprojë kundër tij. Ai e ka marë aferën e CEZ-it si një provë gjenerale të dështuar, për të testuar atë që pritet më pas. Ai është i bindur gjithashtu se prej saj fiton Rama dhe se ky mund ta përdorë atë kundrejt çdo rivali. I bindur se i ka shpërndarë vetë me bollëk armët që kushdo mund të përdorië kundër tij, Ilir Meta trembet.
Por e bukura është se megjithëse është krejtësisht kundër, ai nuk e thotë asnjë minutë publikisht këtë. Gjithë betejën e kundërshtimeve e ka luajtur nën rrogoz: Duke yshtur rekrutët e tij mediatikë që s’kanë lënë gjë pa thënë kundër Lu-së, Vlahutinit dhe kundër qëllimeve të Ramës për reformën; duke nxitur ministrin e ri të drejtësië të japë mesazhe kundrathënëse me kryeministrin, e duke deklaruar edhe vetë se reforma s’mund të kalojë pa opozitën. Pra nëse Rama hesht por punon pro, Meta hesht njësoj dhe luan kundër saj.
Lulzim Basha është përfshirë gjithëashtu në një lojë të dyfishtë. As ai nuk do që reforma të bëhet. E para se e ka të qartë se nga ajo përfiton kundërshtari i tij direkt. E dyta sepse ka mbi kokë Sali Berishën i cili i ka lënë trashigimi një shkollë politike: mbaje peng kundërshtarin me gjithçka që ke mundësi mos ti’a japësh.
Pra pavërasisht se thotë se është dakord me rekomandimet e Venecias PD-ja e di se nuk fiton gjë edhe prej tyre. Ajo ka vetëm një synim: të marrë një pjesë të kontrollit dhe vendimmmarrjes politike. Jo për të përmirsuar sistemin, por për tu siguruar se ai nuk përdoret kundër saj dhe sidomos kundër ish qeverisjes së djeshme.
Donald Lu, nuk i ka shpëtuar as vetë kësaj balloje me maska. Pavarësisht nga idealet që mund të ketë në kokë, apo nga detyrat që ka marrë nga Washingtoni, ai e di se nuk mund të miratojë një reformë shpresëdhënëse, me votat e një mazhorance që ka mbushur parlamentin me kriminelë, që po vjedh përditë me tendera dhe koncesione, që është tallur me çdo aspiratë për të rilindur Shqipërinë e prandaj nuk mund të bëjë këtë vetëm për drejtësinë. Lidhur me rolin e tij dhe të ndërkombëtarëve, Fatos Lubonja kë të drejtë kur thotë se nuk mund të shërohet trupi i një pacienti të mbushur me metastaza, duke i pastruar vetëm njërin prej organeve.
Me politikanë të koruptuar deri në palcë, me një shoqëri civile të tredhur, me media që vetëm rolin e pushtetit të katërt nuk luajnë, askush nuk mund të jetë aq naiv sa të besojë se do të pastrojë drejtësinë.
Po atëherë, cili është qëllimi i Donald Lu-së dhe shefave të tij në departamentin e shtetit?
Më pesimistët mendojnë se ai po mbështet Edi Ramën ashtu si çka ndodhur rëndom këto 25 vjet, me liderët në fillim të pushtetit. Ata që mbrojnë këtë version mund të sjellin me dhjetra shembuj se si ShBA, për të arritur qëllimet e saj, ka sponsorizuar liderin dhe jo përmirësimin e sistemit, në vende me demokraci të pa zhvilluara.
Por, ka edhe një version pak më optimist. Duke i’u druajtur mundësisë që Rama ti përdorë, Donald Lu dhe shefat e tij, ta kenë nisur këtë proces, jo për ta forcuar, por për ta kontrolluar Ramën. Të vetëdijshm tashmë se gjygjtarët dhe prokurorët e koruptuar bien gjithnjë në prehërin e pushtetit të radhës, ata po duan të ivolvojnë ShBA në dhe BE-në brenda sistemit. Pra, me pak fjalë, ata nuk duan ti hyjnë mundimit sizifian të përmirësimit të tij, por duan që ti japin fund talljes së politikanëve me pandëshkueshmërinë.
Unë vetë besoj tek ky version i dytë. Besoj se dikush nën shembujt e Kroacisë, Rumanisë dhe së fundi Serbisë ka vendosur se i duhet thënë fund proceseve me vrasje që nuk i gjendet arma, vjedhjeve që nuk i gjendet blloku, grushtave në parlament që u dhënkan për shkak të detyrës.
Unë besoj se për të na afruar pak më shumë në gjirin e familjes euroatlantike, aleatët tanë kanë vendosur se ky vend nuk mund të ketë më ministra që vjedhin ditën për diell dhe dalin pa u lagur. As opozitarë që kur ikin nga detyra kapardisen në Mecedesë qindramijra euroshe dhe vila disa fish më të shtrenjta.
Natyrisht, kuptohet, se kjo endërr populiste që i gëzohen të gjithë, ka fare pak të bëjë me idealin e përsosjes së sistemit. Ajo nuk ka lidhje me shpresat e “pranverës” për drejtësinë shqiptare, siç po kërkojnë të na e shesin. Ajo prek thjeshtë fasadën, jo thelbin e saj.
Pikërisht, në hapsirën mes kësaj shprese dhe realitetit të mundshëm, po e zhvillon lojën e tij edhe Donald Lu. Ndoshta i bindur se kurrë nuk do ta arrijë maksimumin që premton. Por ama i ndërgjegjshëm se vetëm kështu, të gjithë të tjerët do i japin fund lojës së tyre.