“Të infektuarit me shifra më të larta se raportimet”/ Meta: Qytetarët të vaksinohen masivisht. I papranueshëm “diferencimi klasor”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se vaksinimi kundër koronavirusit duhet të jetë masiv.

Ndërsa e konsideron të papranueshëm diferencimin klasor, kreu i shtetit thekson se siguria e këtyre vaksinave është shumë e rëndësishme dhe kjo siguri vjen nga vende të besueshme evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

Pjesë nga intervista për “Ora”:

Nisur edhe nga shifrat e fundi të pandemisë, ju dje keni bërë një alarm shumë të fortë. Keni folur për një gjendje që po shkon drejt një katastrofe kombëtare. Është kriminale, thoni, që të bëhet sehir. Nuk ka një plan për vaksinat, në spitale asnjë masë efektive, gjithashtu për parandalimin e sëmundjes. E vërteta është që ka shumë qytetarë që po ankohen për shërbimin e keq. Vaksina nuk ka, nuk dihet se kur do të vinë pavarësisht premtimeve, por gjithashtu ka edhe një mungesë organizimi, pavarësisht deklaratave të qeverisë dhe të kryeministrit.

Presidenti Meta: Dua t’ju rikujtoj se në dhjetor 2020  kam kthyer në Kuvend projektligjin për Buxhetin e ri të Shtetit për vitin 2021, me argumentin kryesor dhe shqetësimin e fortë se mbështetej shumë pak, për të mos thënë aspak, sistemi shëndetësor për të përballuar këtë pandemi të rrezikshme.

Ky Buxhet nuk parashikonte thuajse asgjë për të rritur kapacitetet spitalore, veçanërisht për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, që përditë prekeshin nga COVID-19. Qysh në dhjetor u duk qartë se Qeveria dhe sistemi shëndetësor e kishin krejtësisht të pamundur për ta përballuar me efikasitet valën e re të pandemisë dhe për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët kërkonin kujdes, ndihmë dhe asistencë.

Për fat të keq, Qeveria nuk e vlerësoi këtë mundësi që iu dha nga ana ime, por e miratoi Buxhetin e Shtetit, që dyfishon pagesat për koncesionet dhe ku mbështetja për shqiptarët është e papërfillshme.

Aktualisht jemi në një gjendje kritike edhe sipas të dhënave zyrtare.

Transparenca është një tjetër problem serioz, pasi jemi në nivele tepër alarmante. Mjafton të krahasohemi me Kosovën dhe me vende të tjera të rajonit për ta kuptuar.  Kjo situatë kërkon një reflektim dhe një ndërhyrje të shpejtë. Për më tepër, që kemi kaq kohë, që ngremë alarmin për rëndësinë e testimeve dhe të gjurmimit, pra të menaxhimit e mbajtjes nën kontroll të pandemisë me masa efektive, që për fat të keq nuk ekzistojnë.

Kjo situatë, në të cilën ndodhemi, kërkon një qasje profesionale dhe jo politike, për të rendur pas lajmit të ditës.

Ju e shihni çfarë po ndodh? Këtu përmbytet Shkodra dhe po atë ditë promovohet një rezort turistik.

Pra ka një shmangie të përballimit të problemit kryesor me të cilin ndeshen qytetarët tanë.

Çdo ditë kemi humbje jete në spitale për arsye se nuk ka pajisje jetëshpëtuese. Niveli i vdekshmërisë te qytetarët tanë, që përfundojnë në intubim është pothuajse fatal. Ndërkohë ne japim lajme se do të vinë nga një vend mik vaksina apo ku e di unë.

Është urgjente një plan konkret për vaksinimin e popullatës dhe garantimin e ndihmës dhe mbështetjes për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët janë duke luftuar me COVID-19. Nuk i kushton asgjë shtetit të ketë një protokoll të qartë dhe të saktë.

Nëse remdesiviri apo paviri janë dy antiviralë efektivë deri tani, nuk i kushton asgjë shtetit të blejë sasi të mëdha dhe me siguri absolute, dhe t’i verë në dispozicion të qytetarëve.

Jemi të gjithë të ndergjegjshëm se çmimet në treg janë në nivele shumë të larta dhe të papërballueshme për shumë familje.

Pyetje: Zoti President, këtu flitet për një sasi prej 360 mijë vaksinash që nuk dihet se nga do të mbërrijnë dhe kur do të mbërrijnë, pavarësisht se një afat është vendosur, 14 muaj për vaksinimin e të gjithë popullsisë. Megjithatë, në mungesë të vaksinave nga vendet e Bashkimit Europian apo të miratuara nga BE-ja, a ekziston mundësia, a duhet qeveria shqiptare të shohë si mundësi edhe marrjen e vaksinave nga Rusia apo nga Kina?

Presidenti Meta: Qeveria jonë duhet të shikojë gjithmonë mundësinë e sigurisë së vaksinave, sepse kjo është kryesorja. Në këtë drejtim edhe transparenca është shumë e rëndësishme, edhe për ato vaksina që kanë ardhur.

Për të pirë një Coca-Cola nuk lejohet të dalë në treg, nëse në radhë të parë nuk jepen të dhënat se kur është prodhuar, datën e skadimit, vendi i origjinës, etj., sepse dikush mund të helmohet dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për jetën e qytetarit.

Vaksinat mund të vijnë, por ato mund të kenë efekte të tjera, që mund t’i kushtojnë jetën qytetarit, ose mund të mos kenë fare efekt dhe qytetari mund ta pësojë nga Covidi në të ardhmen pasi mund të mos mbrohet më.

Siguria është e para dhe sigurisht sigurinë e vaksinës në radhë të parë e garantojnë institucionet evropiane dhe institucionet e vendeve shumë të besueshme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vende të tjera.

Së dyti, ajo që është shumë e rëndësishme është se çfarë po bëjmë sot? Sepse nëse raportohen zyrtarisht 1000 e ca të infektuar çdo ditë, të jeni të sigurt se janë dyfishi apo trefishi, të cilët po mjekohen në familje dhe që nuk janë të raportuar.

Në këtë moment është tepër i rëndësishëm fokusimi tek roli i mjekut të familjes, përcaktimi i protokolleve të qarta, ndërhyrja e shtetit për ato medikamente apo antivirusë, që kanë rezultuar të suksesshëm dhe që mund të blihen lirë në sasi të mëdha dhe të vihen në dispozicion të qytetarëve.

Këto janë çështjet më emergjente, përveç rritjes së kapaciteteve të të gjitha spitaleve rajonale, sepse është e qartë që me kapacitetet ekzistuese është i pamundur përballimi i fluksit.

Një alternativë efikase është shtimi i personelit qoftë duke angazhuar studentë të mjekësisë apo të infermierisë në mbështetje të të gjithë personelit që po merret me këtë sfidë dhe me këtë betejë.

Pyetje: Ndoshta për të shmangur edhe vëmendjen nga kjo situatë, kryeministri ka hedhur dje një ide: Të një vaksinimi selektiv të personaliteteve të moshuara. A është e drejtë?

Presidenti Meta: Nuk jemi në situatë për të bërë diferencime klasore, pasi askush nuk e ka këtë të drejtë. Të gjithë qytetarët janë të barabartë, sidomos kur bëhet fjalë për jetën dhe për shëndetin e tyre.

Të gjithë duhet të trajtohen si të tillë. Natyrisht, janë disa fasha që janë më të rëndësishme, siç janë mjekët, sanitarët, personeli që ndeshet me këtë sfidë, mosha e tretë, që mund të rezultojë më problematike, invalidët apo persona të tjerë, por çdo diferencim tjetër pastaj ngjan si klasor.

SHKARKO APP