”Të mblidhet Kushtetuesja”, Besnik Muçi: Verifikoni mandatin tim
Mandatin e tij, Besnik Muçi ia beson Gjykatës Kushtetuese. Ai i është drejtuar sot me një kërkesë kësaj gjykate, ku i kërkon që të verifikojë mandatin e tij. “I kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “ ”Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Edhe në letrën dërguar sot kryetares Tusha, Muçi shkruan: “Procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”. Nga ana tjetër, ai thekson se do të qëndrojë në detyrën e gjyqtarit deri sa të merret një vendim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
“Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur. Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore”, shkruan Muçi.