Të rinjtë në protestë/Këlliçi: Çdo diktator e ka një cikël dhe rrëzohet
Forumi Rinor i Partisë Demokratike, do të organizojë sot një protestë përballë Kryeministrisë. Belind Këlliçi, kreu i FRPD-së, thotë se 20 shkurti është një ditë e shënuar, rrëzimi i shtatores të diktatorit dhe shton se simbolika e 20 shkurtit tregon edhe faktin që çdo diktator ka një cikël ku ngrihet dhe më pas rrëzohet.
Shumë të rinj janë larguar nga vendi, që sipas tij nuk shohin asnjë perspektivë dhe që në protestën e sotme do të kenë zë për të folur për problematikat e tyre. Por protesta e sotme, për të, jo domosdoshmërish përkon me rifillimin e sezonit të protestave të opozitës.
”Kjo pjesë është tërësisht e organizuar nga Forumi Rinor, përtej kushteve klimatike jo të favorshme dhe mungesës së suportit monetar. Nuk do të jetë protesta e vetme por sërish do të jenë pjesë e aksionit të të rinjve” thotë Këlliçi që më pas shton se “PD është ulur në tryezën e reformës zgjedhore, ku rezultatet priten brenda afatit të 15 marsit. Ne si parti udhërrëfyesin tonë e kemi tek 9 pikat e Bundestagut, ku zgjedhjet e lira janë kryefjalë”,-tha në ”a2cnn”.