Të rinjtë shqiptarë dhe serbë në shkollë verore, Klosi: Të shërbejë si urë komunikimi midis dy vendeve
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të re dhe kjo është vënë re jo vetëm në vizitat që drejtuesit e qeverive kanë zhvilluar në vendet respektive, por edhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet e tjera që janë bërë të mundura gjatë muajve të fundit.
Një nga fushat ku ky bashkëpunim është shtrirë është edhe rinia. Ndaj në këtë kuadër u mbaj gjatë kësaj jave në vendin tonë shkolla verore “Bashkëbisedimi Ndërkulturor në Epokën Dixhitale”, ku morën pjesë 17 të rinj shqiptar dhe 17 të rinj serb, të cilët sot në një ceremoni të posaçme, ku ka marrë pjesë edhe ministri i MSR-së, Blendi Klosi, Ambasadori i OSBE-së si dhe zëvendës ambasadori i Serbisë, janë pajisur me certifikatat e ndjekjes së leksioneve në këtë shkollë.
Në fjalën e tij ministri Blendi Klosi është shprehur se kjo shkollë verore është vetëm fillimi i aktiviteteve të përbashkëta në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e rinisë, firmosur ndërmjet Qeverisë Serbe dhe Qeverisë Shqiptare në Tetor 2014.
“Përmes kësaj marrëveshje, Qeveritë e të dy vendeve tona synojnë krijimin e një sinergjie të përbashkët që në një formë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të mbështesim të rinjtë, në mënyrë që bashkërisht të arrijmë synimet tona, në të gjitha fushat që ndërlidhen për përmirësimin e jetës ekonomike dhe shoqërore të të rinjve. Një rini e shëndetshme, e arsimuar, aktive, e kulturuar do të kontribuoj për zhvillimin në një kontekst evropian jo vetëm në Shqipëri dhe Serbi, por dhe në rajon”, – tha Ministri Klosi në fjalën e tij.
Më tej ai u shpreh se angazhimi në këtë shkollë i të rinjve është një mundësi e mirë jo vetëm për të njohur kulturat, traditat dhe zakonet e vendeve respektive, por edhe për të përgatitur një platformë komunikimi të përbashkët mes të rinjve, e cila nesër do të shërbejë si urë komunikimi midis dy vendeve Shqipërisë dhe Serbisë.
“Rinia është 1/3 e popullsisë së vendit tim. Ndaj politikat e Qeverisë Shqiptare janë të orientuara drejt krijimit të mundësive të punësimit dhe nxitjes së vetëpunësimit të të rinjve, drejt edukimit dhe mbrojtjes sociale të të rinjve me aftësi të ndryshme, drejt mbrojtjes së shëndetit të të rinjve dhe përfshirjes së të rinjve në politikbërje dhe vendimmarrje. Bashkëpunimin në fushën e rinisë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj Serbe, ne së bashku synojmë ta shtrijmë në rajonin e Ballkanit dhe të krijojmë një model mirëkuptimi, paqeje dhe stabiliteti, por dhe një mjedis të përshtatshëm për të rinjtë në rajon”, – shtoi Klosi.