Teatri Kombëtar, Presidenti Ilir Meta: Nuk ka Shqipëri europiane pa identitet kombëtar
Presidenti Ilir Meta vizitoi sot ekspozitën e artistit Avni Delvina në ambientet e Teatrit Kombëtar. Ekspozita e piktorit të njohur ka mesazhe të forta politike dhe është ideuar si një mbështetje artistike për aktorët e Teatrit Kombëtar që kundërshtojnë prishjen e këtij objekti të rrallë të trashëgimisë kulturore të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Ilir Meta përcolli edhe njëherë mesazhe për dialog. Duke folur në ekspozitën e Avni Delvinës në Teatrin Kombëtar, Meta tha se vetëm me dialog mund të zgjidhim në mënyrë të arsyeshme sfidat e së ardhmes, larg arbitraritetit dhe interesave okulte.
“Është e domosdoshme që të gjithë të reflektojë dhe dialogojmë si një shoqëri e qytetëruar dhe e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg arbitraritetit, larg interesave okulte. Në interes të kulturës sonë, qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë. Është detyra jonë të përforcojmë vlerat e shoqërisë sonë që të ecim të sigurt drejt europianizimit. Nuk mund të ketë një shoqëri europiane pa identitetin e saj kulturor dhe kombëtar”,- u shpreh kreu i shtetit.
Duke shprehur dhe njëherë mbështetje për artistët, Ilir Meta tha se nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se detyrës së tij në çështjen e Teatrit Kombëtar. ”Asnjë falënderim për mua nga të gjithë artistët, pasi nuk kam bërë asgjë tjetër veç detyrën time edhe në çështjen për Teatrin Kombëtar, duke mbrojtur Kushtetutën, ligjin, trashëgiminë kulturore, duke mbrojtur identitetin kombëtar. Besoj se është e domosdoshme që të gjithë të reflektojmë dhe të dialogojmë si një shoqëri e qytetëruar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg interesave okulte. Nuk mund të ketë një Shqipëri europiane të vërtetë pa identitetin e saj kulturor dhe kombëtar”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta ka refuzuar para disa muajsh dekretimin e ligjit që shembte teatrin dhe dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen të paligjshëm të këtij ligji.