Tedi Blushi: Autoriteti i Dosjeve si portal shtesë i Ramës
Përveç qeverisë, Ilir Meta ka nisur edhe një betejë, këtë herë ligjore me Autoritetin e Dosjeve. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se Autoriteti i Dosjeve është një portal i Edi Ramës. Autoriteti i Dosjeve deklaron se garanton autenticitetin dhe integritetin e çdo dokumenti. “Çdo veprimtari e Autoritetit është e bazuar në akte ligjore dhe nënligjore, në vendimmarrje kolegjiale, e shoqëruar me dokumentacion të protokolluar, lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë”, citohet në deklaratë. Po ashtu akuzat e ish-presidentit Meta, Autoriteti i Dosjeve i cilëson si dashakeqe, fyese dhe të pabazuara.
Reagimi i plotë
Autoriteti Manipulimit të Dosjeve vazhdon të shërbejë si Portal shtesë i Kryeministrit dhe i Bashkisë së Tiranës. Garancitë e integritetit të Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve janë nën nivelin e e-mail anonim që i vuri në lëvizje urgjente. Veprat penale janë aty dhe deri tani janë 6 të tilla. Anëtarët e Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve janë sot nën akuzë penale për dhunimin e ligjit, manipulimin e të vërtetës, të cilën e dinë shumë mirë, por e kanë falsifikuar dhe shtrembëruar në shërbim të urdhrit të Edi Ramës dhe qëllimeve të tij politike.
Propaganda nuk i shpëton dot anëtarët e Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve por vetëm sa jua rëndon akoma më shumë situatën secilit prej tyre, që ndërmori hapin e gabuar të shkeljes flagrante të ligjit. Akuzat janë asgjesuese dhe të pakapërcyeshme dhe shpjegimet këta anetarë manipulatorë dhe të përdorur do t’i japin deri në fund para drejtësisë. Për t’ju kthjelluar edhe njëherë se me çfarë përgjegjësish të rënda do të përballen, po jua kujtojmë shkeljet dhe dhunimet e ligjit që kanë bërë:
Anëtarët e AIDSSH: Kanë kryer shkelje Flagrante të Ligjit të tyre Funksional. Kanë shkelur Parimet e Funksionimit të tyre. Nenit 29/4: Ku shprehet se Personat e Verifikuar ne Komisionet e meparshme, nuk verifikohen me. Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve ka shkelur edhe parimin e njohur kushtetues “Parimi i Sigurisë Juridike”. Autoriteti i Dosjeve, pa asnjë kërkesë nga ndonjë Institucion Kushtetues (siç e përcakton ligji funksional), por duke marrë “urdhër” nga një “denoncim anonim”, nis procesin e riverifikimit të një figure publike ish – Presidenti i Republikës (figura më e lartë në hierarkinë e shtetit deri 24 orë përpara verifikimit të AIDSSH) dhe nxjerr “konkluzione shteruese” pa kryer kurrfarë hetimi objektiv, duke marrë plot 7 vendime në 24 orë, kur më e pakta me procedurë normale do duheshin 6 muaj. Në rastin konkret, Ilir Rexhep Metaj, ishte hetuar nga 2 komisionet Mezini-Bezhani, dhe nga vetë AIDSSH në vitin 2017.
Në Mënyrë të paligjshme vetë Autoriteti ka punuar dhe ka nxjerrë të dhëna dhe konkluzione, në kundërshtim të hapur me ligjin, mbi një dosje të pa deklasifikuar. Ka arritur në konkluzione “shteruese” të manipuluara dhe të falsifikuara, duke lidhur me dashje emrin e Ish-Presidentit Ilir. Metaj pa pasur asnjë material, dosje, indicie, të provuar ligjërisht që figuron si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur, në raport me organet e ish- Sigurimit të Shtetit. Autoriteti, ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike. Sepse, në asnjë rast dhe në asnjë dokument, edhe të fallsifikuar, pjesë e dosjes së shtetasit F.T., nuk ekzistojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj.
Vetë Autoriteti në mënyrë skandaloze, përveçse ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin, bën cuditërisht propozime edhe për Kodin Zgjedhor. Gjithë këto gjoja ndryshime ligjore, AIDSSH kërkon ti përdorë si alibi, për të justifikuar veprimet flagrante të paligjshme, të kryera sipas skenarit mafioz-politik kundër ish-Presidentit Meta, sot Kryetar i Partisë së Lirisë. Gjithçka nisi nga një e-mail gjoja anonim, sepse ka qenë email me regji, i nisur vetëm 24 orë pas përfundimit të detyrës time si President i Republikës. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur cdo parim, cdo gjë, u arrit në konkluzione shteruese se I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës.
Pra, AIDSSH, paska hetuar bazuar mbi një email anonim, në kundërshtim të hapur me ligjin, dhe për 24 orë ka konkluduar se bëhej fjalë për z. Ilir Metaj, ish-President i Republikës, pa pasur asnjë dokument, fakt, provë, të dhënë, apo indicie, që mund të lidhë figurën e z. Ilir Rexhep Metaj, me një nga kategoritë e cituara në ligj si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur nga sigurimi i shteti/Tedi Blushi/
Reagimi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit :
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u njoh nëpërmjet medias, me kallëzimin penal të bërë ndaj anëtarëve të tij, mbi vendimmarrjen e datës 26 korrik 2022 e në vijim, akuza që i gjen të pabazuara e dashakeqe ndaj institucionit dhe fyese për dinjitetin e secilit prej anëtarëve.
Autoriteti është i hapur të bashkëpunojë me institucionet ligjzbatuese e të gjithë të interesuarit, dhe fton institucionet të kryejnë detyrën mbi materialet që administron me ligj, që prej krijimit të tij.
Autoriteti garanton publikun për kryerje me integritet, përgjegjësi profesionale dhe jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij për ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.
Çdo veprimtari e Autoritetit është e bazuar në akte ligjore dhe nënligjore, në vendimmarrje kolegjiale, e shoqëruar me dokumentacion të protokolluar, lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë.
Autoriteti administron dokumentacion arkivor në bazë të ligjit nr.45/2015 i ndryshuar, ligjit për arkivat dhe ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”. Në të gjitha rastet, ndiqet procedura e mirëpërcaktuar e deklasifikimit – sipas VKM nr. 662/2017 “Për miratimin e rregullores për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, – që dokumentohet imtësisht, hap pas hapi me shkresa përcjellëse, bibliografia e së cilës publikohet në faqen zyrtare të institucionit, në Fletoren Zyrtare dhe nga DSIK, institucioni i specializuar për sekretin shtetëror.
Autoriteti siguron qytetarët shqiptarë për standardin maksimal të sigurisë së dokumentacionit të administruar prej tij. Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit trajtohen në zonat e sigurisë dhe vetëm nga personat e autorizuar sipas ligjit, ku respektohen të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me protokollin e hyrje/daljeve në mjediset e arkivit; kontrollin e ambienteve ku ruhen dokumentet; dhënien për shfrytëzim të dokumenteve arkivore; regjistrimin në regjistrat përkatës duke evidentuar të dhënat e dokumenteve të shërbyera; punonjësin që i merr, si dhe kohën e marrjes dhe kthimit të dokumenteve, në zbatim të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar dhe sigurinë fizike; sigurimin e kontrollit mbi hyrjen dhe daljen nga hapësirat zyrtare për qëllime sigurie, me kamera sigurie, të cilat monitorojnë çdo mjedis 24 orë, në shtatë ditë të javës.
Autoriteti garanton autenticitetin dhe integritetin e çdo dokumenti. Materialet arkivore vihen në dispozicion, në zbatim të ligjit nr.45/2015 i ndryshuar, duke mbrojtur të dhënat personale. Versioni origjinal ruhet në arkivin e Autoritetit.
Autoriteti është i bindur në vlerën dhe impaktin publik të ndryshimeve ligjore, të paraqitura e kërkuara në mënyrë të përsëritur Kuvendit të Shqipërisë, (në nëntor 2018, shkurt 2020, korrik 2022) për shfuqizimin e nenit 29, pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, mbi komisionet “Mezini”-“Bezhani” dhe për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, për angazhim gjithëpërfshirës të subjekteve politike, për zbatimin e nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar.