Tedi Blushi: Kapuçzinjtë e Ramës i janë vërsulur sot forcërisht kompanisë së deputetit Shehaj

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, thotë se kapuçzinjtë e Ramës i janë vërsulur sot forcërisht kompanisë së deputetit të PD-së, Agron Shehaj pa asnjë mbështetje në ligj. 

Ai thotë edhe se oligarkët nuk njohin gjoba dhe gllabërojnë taksat e shqiptarëve në shkelje të çdo ligji, por që bizneset e rregullta po terrorizohen dhe ndëshkohen me sekuestro mafioze nga falangat e Policisë së Shtetit dhe taksidarët e Ministrisë së Financave.

”Edi Rama ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë se koha kur opozita e kapur prej tij blihej, shitej apo shantazhohej ka marrë fund! Më të vendosur se kurrë në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen e këtij regjimi mafioz! Asgjë nuk na ndal më”,-shkruan ndër të tjera Blushi në një postim në facebook.

Postimi i plotë

Në panik nga urrejtja e madhe popullore, shkëputja e kontrollit mbi opozitën dhe humbja e zgjedhjeve të ardhshme lokale, Edi Rama ka nisur sulmet politike kundër të bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës shqiptare.

Ndërkohë që oligarkët dhe sipërmarrjet e klientëve të tij me lidhje të shumëfishta me pushtetin nuk paguajnë sot taksa, nuk njohin gjoba dhe gllabërojnë taksat e shqiptarëve në shkelje të çdo ligji, bizneset e rregullta po terrorizohen dhe ndëshkohen me sekuestro mafioze nga falangat e Policisë së Shtetit dhe taksidarët e Ministrisë së Financave.

Me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës shqiptare, deputetin Agron Shehaj, kapuçzinjtë e Edi Ramës i janë vërsulur sot forcërisht kompanisë së tij pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush.

Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të Policisë së Shtetit, si dhe duke e inkurajuar drejtësinë të reagojë menjëherë për të ndëshkuar përgjegjësit, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga sulmet ndaj bizneseve të ndershme dhe të ligjshme, të cilat nuk i shikon si mundësi për zhvillimin e vendit, por i shikon si rrezik për bandën e tij.

Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha biznesve të reagojnë ndaj çdo arbitrariteti dhe gjobëvënie nga taksidarët e Qeverisë, të cilët i paralajmërojmë të bëjnë kujdes në raport me ligjin pasi nuk do t’i shpëtojnë kurrë llogaridhënies. Edi Rama ta ketë të qartë njëherë e përgjithmonë se koha kur opozita e kapur prej tij blihej, shitej apo shantazhohej ka marrë fund! Më të vendosur se kurrë në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen e këtij regjimi mafioz! Asgjë nuk na ndal më!

SHKARKO APP