Tedi Blushi konfirmon: Presidenti me popullin do jetë në Parlament ditën e “Lanakushtetutës”
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi përmes një postimi në facebook, thotë se qeveria vijon të mashtrojë dhe të tentojë rrëmbimin e kompetencave të Presidentit përmes rrugës së Ramaformës, por Blushi siguron shqiptarët se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është me popullin shqiptar dhe se nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës. Blushi ka reaguar pas paralajmërimeve nga ana e mazhorancës socialiste se do të ndryshojë ligji për betimin tek Presidenti.
Postimi i plotë i Zëdhënësit të Presidentit
Të dashur kolegë gazetarë!
Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!