Tedi Blushi: Mbështesim thirrjet që dënojnë sulmet banale politike të Ramës ndaj SPAK-ut
Me foto të titujeve të lajmeve ku kryeministri Edi Rama i bën presion SPAK-ut, Tedi Blushi është kundërpërgjigjur, ndoshta edhe thirrjeve që amabsadorja Yuri Kim bën që të mos sulmohet Drejtësia.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, thotë ndër të tjera se ata mbështesin thirrjet që dënojnë sulmet banale politike të Ramës ndaj SPAK-ut.
”Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar”,-shkruan Blushi në një postim në facebook.
Postimi i plotë
Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve.
Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj.