Teliti: Qeveria e falimentuar ka zhytur në borxhe shqiptarët
Eksperti i ekonomisë pranë Partisë Demokratike Dorian Teliti ka reaguar për situatën ekonomike në vend. Ai shprehet se qeveria ka zhytur në borxhe qytetarët shqiptarë.
Sipas tij shteti nuk është kujdesur për qytetarët shqiptarë edhe në këtë kohë pandemia, ndërsa shton se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar së shpejti do të prezantoje planin e detajuar për daljen nga kriza dhe rigjallërimin e ekonomisë shqiptare.
“Qeveri e falimentuar që ka zhytur në borxhe shqiptarët. Qeveria e buxhetit të falimentuar ka marrë në qafe edhe ekonominë e shqiptarëve. Kudo nga shkojmë shohim trishtim e varfëri. Realitetin e hidhur që po jetojmë nuk e mbulojnë dot as propaganda, e as mashtrimet e kësaj qeverie. Faktet janë tronditëse, ekonomia vazhdon të bjerë në pikiatë, siç ri-konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë. Tashmë shqiptarët po marrin borxhe jo për të hapur një biznes të ri, apo për të blerë një banesë për familjen e tyre, por po zhyten akoma edhe më shumë në borxhe ,thjesht për të shlyer borxhet e vjetra. Konsumi po bie dita-ditës, mijëra biznese kanë mbyllur qepenat për të mos i hapur më, dhjetëra mijëra kanë humbur e po humbasin vendet e punës edhe sot që flasim. Qeveria nuk e sheh këtë realitet, për të vendi ka vetëm disa oligarkë të super-pasuruar, ndërsa Shqipëria tjetër, ajo e vërteta, është zhytur në skamje dhe shteti nuk kujdeset për ta, siç u pa edhe në këto muaj pandemie, ku çdo shqiptar mori mbështetje direkte nga buxheti i shtetit vetëm 7 euro në muaj/frymë. Në këto momente të vështira, të gjitha energjitë dhe resurset duhet të fokusohen në hartimin dhe zbatimin e politikave pro-biznes dhe në mbështetje të konsumit. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen kritike ku ndodhet vendi dhe shumë shpejt do prezantojmë planin e detajuar për daljen nga kriza dhe rigjallërimin e ekonomisë shqiptare. Taksimi më i ulët në rajon, eliminimi i dhjetëra lejeve e licencave, lufta ndaj monopoleve dhe anulimi i PPP-ve korruptive, politika buxhetore dhe jo vetëm për sektorët prioritarë, rritja e mbështetjes ndaj pensionistëve dhe shtresave në nevojë, do të jenë shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës që do të nisë të implementohet që ditën e parë që shqiptarët me votë të lirë do të na besojnë drejtimin e punëve të vendit. Është koha për reflektim, është koha për të hequr dorë nga borxhet për të shlyer borxhe, është koha për t’u rimëkëmbur përmes planeve ekonomike të sigurta për shqiptarët”, shprehet Dorian Teliti.