Tensionet në veri të Kosovës, Presidenti Begaj: Autoritetet shmangën një provokim të rëndë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj reagon mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Begaj përshëndet autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë,” u shpreh Kreu i Shtetit duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Deklaratat Begaj i bëri gjatë takimit me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez Pérez-Castejón, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Jam besimplotë se gjatë Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, në 6-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, mbështetja e Kryeministrit Sanchez dhe e qeverisë së Spanjës do të jetë shumë domethënëse për procesin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE”, nënvizoi Presidenti Begaj.

SHKARKO APP