Tensionet politike, Damian Gjiknuri: Dëshira nga ata që kanë mbaruar misionin

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, tha se me Reformën në Drejtësi politika në Shqipëri ka hequr duart nga drejtësia.  Po ashtu Gjiknuri tha se të gjithë ato akuza që hidhen këtu janë të tepërta dhe gjithçka është politikë e ditës këtu në Kuvend.

“Po pikërisht këta njerëz që kanë mbaruar misionin e tyre politik, nuk kanë pse të sjellin në Kuvend këtë lloj retorike vdekjesh. Kjo është fatkeqësi. Aq më tepër të ketë gojë, dikush të flasë për drejtësi apo për të hequr ato që quhen limitet e parashkrimit, pikërisht njeriu që nuk zbatonte as vendimet e drejtësisë ndaj zyrtarëve të tij. Kemi këtë “vulëhumburin”, që gjithmonë, sa herë i humb vula i ngrihet më shumë zëri, që fatkeqësisht i kthehen “fantazmat e vdekjes” për ato krime që ka kryer ndër vite, qoftë në Gërdec apo vrasjet e 21 Janarit. Pikërisht kjo “fantazmë” e mban peng këtë vend. Kjo është fatkeqësi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për debatin politik”, tha ai.

Ndër të tjera, Gjiknuri tha se në vend ja dëshirë të zjarrtë për të kthyer tensionin, për ta paraqitur Shqipërinë si vendin e zi të Europës, pikërisht nga njerëzit që kanë përgjegjësi direkt për shumë e shumë vite për mënyrën sesi e kanë qeverisur këtë vend e që vijnë përsëri me të njëjtat metoda që u burojnë nga e kaluara e tyre.

“Si mund të flasësh ti për parashkrim kur ti nuk zbaton vendimet e drejtësisë? Harroni që drejtorët tuaj firmosnin në arrest shtëpie dhe drejtonin institucionet më të rëndësishme të shtetit? Harroni çfarë bëtë me oficerët e Gardës kur dolën urdhrat e arrestit nga drejtësia? I negocionit njësoj sikur të ishin pengje. Kjo është drejtësia që ju kishit dhe keni në mendje, drejtësi e kontrolluar”, replikoi ai me Berishën.

SHKARKO APP