Tensionet te Teatri, Basha: Rama, varrmihësi i paqes sociale. Dhuna ndaj qytetarëve dhe gazetarëve, e papranueshme
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim thuhet që të ketë shkuar në zyrën e Lulzim Bashës për të mbajtur mbledhjen e koalicionit opozitar. Mbledhja do të mbahet për të diskutuar hapat që do të ndiqen në vijim tashmë që shembja e Teatrit Kombëtar ka nisur.
Kujtojmë këtu se Kryemadhi në orët e para të mëngjesit të së dielës është shoqëruar nga Policia pasi po bënte rezistencë dhe është liruar pas pak orësh.
Tashmë ajo ndodhet bashkë me liderin e opozitës i cili më herët ka paralajmëruar se do ketë vendime politike pas ngjarjeve të sotme.
Dhe para kesaj mbledhjeje ka ardhur nje reagim nga kryedemokrati Lulzim Basha.
“Me shembjen e paligjshme të TK për të pastruar paratë e pista të klientëve të tij, Rama i vuri kazmën themeleve të shoqërisë sonë. Dhuna ndaj qytetarëve dhe gazetarëve është e papranueshme. Aktivistët, artistët, opozitarët e arrestuar duhet të lirohen menjëherë! Rama është varrmihësi i paqes sociale në vend, varrmihësi i ekonomisë së shqiptarëve, hajduti i pronave publike dhe një kriminel ordiner që ka shkelur dhe uzurpuar çdo pushtet. Pa shporrur atë, në këte vend nuk do ketë as ligj, as demokraci, as zhvillim dhe as mirëqenie për njerëzit”, tha Basha.