Tërmeti dhe Integrimi, Rama takohet me Presidenten e KE
Situata e post-tërmetit dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të adresuar problemet e shumta të lëna prej tij, kanë qenë në fokusin e takimit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen me kryeministrin Edi Rama në Bruksel.
”E informuam për të gjithë aspektet e punës sonë për trajtimin e pastërmetit. Serioziteti me të cilin po organizohet konferenca e donatorëve është maksimal, pavarësisht se ne e dimë se shuma e mundshme që ne mund të mbledhim në atë konferencë nuk do të përmbushë dot të gjitha nevojat. Plani i Presidentes shkon përtej konferencës.Do të vazhdojmë të punojmë së bashku, ndamë me të dhe idetë e financimit të rindërtimit”,-mësohet të ketë thënë kryeministri Edi Rama.
Zëdhënësit e Komisionit Europian, bëjnë të ditur se presidentja dhe Rama folën lidhur me përgatitjet për konferencën e ardhshme ndërkombëtare të donatorëve, e cila do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel dhe do organizohet nga Komisioni Evropian. Ata ranë dakord të qëndrojnë në kontakt për të siguruar që konferenca të prodhojë rezultate konkrete në dobi të popullit shqiptar.
Përveç kësaj, Von der Leyen dhe kryeministri diskutuan procesin e anêtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Presidentja Von der Leyen përsëriti bindjen e saj se Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe negociatat e anëtarësimit duhet të hapen së shpejti.
”Presidentja e KE ka një strategji konkrete për objektivin e çeljes së negociatave. Ndërkohë është kaq e sigurtë se fati i vendimit mbi çeljen e negociatave do të varet nga ecuria e debatit të brendshëm të BE mbi vetëveten dhe të ardhmen e gjithë procesit të zgjerimit”,-tha më tej Rama. Gjatë ditës së sotme, shefi i qeverisë shqiptare do të jetë në selinë e NATO-s në cilësinë e kreut të OSBE, ndërsa pasdite do të fluturojë për Tiranë.