Tërmeti në Haiti, Meta: Trishtuese humbjet e jetëve, duhet solidaritet ndërkombëtar për rimëkëmbjen
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është solidarizuar me tragjedinë në Haiti si pasojë e tërmetit të fortë që ra ditën e djeshme. Përmes një mesazhi në rrjete sociale, kreu i shtetit thekson se në këto momente duhet solidaritet ndërkombëtar për rimëkëmbjen.
“Lutjet tona sot për popullin e Haitit. Trishtuese humbjet e jetëve, lëndimet dhe shkatërrimet nga tërmeti katastrofik. Solidariteti ndërkombëtar, i domosdoshëm për tejkalimin e pasojave tragjike dhe rimëkëmbjen”.
Mbi 300 persona kanë mbetur të vdekur nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.2 që ka goditur Haitin. Kërkimet për nxjerrjen e trupave vazhdojnë dhe ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të mbetura nga kjo tragjedi. Qytete e fshatra të tëra janë rrafshuar, ndërsa më shumë se 1,800 persona kanë mbetur të plagosur.
Shtetet e Bashkuara me anë të presidentit Joe Biden kanë premtuar ndihma të menjëhershme për ishullin e pafat, por situata mund të bëhet më e vështirë.